Eurodeputetët “largpamës"parashikuan dështimin e negociatave
Një mbyllje pa rezultat e negociatave aktuale mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka gjasa të aktualizojë një ndërmjetësim të fundit të Strasburgut. Burime nga selia rozë bënë të ditur për “Shqip” se përmbajtja e rezolutës së miratuar më 8 korrik në Parlamentin Europian jep një mundësi praktike për të riorientuar diskutimin rreth kërkesave të selisë rozë. Pika 5 e dokumentit në fjalë i hap rrugën kësaj procedure që, nëse do të mbërrijë si skenar i zhvillimit politik, ka gjasa të jetë paranteza e një penalizimi të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. “Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës që, nëse nuk arrihet një zgjidhje pa ndihmën e huaj, atëherë të bihet dakord për ndërmjetësim, për shembull duke ftuar së bashku Këshillin e Europës dhe/ose përfaqësuesit e Parlamentit Europian”, thuhet në pikën 5 të rezolutës. E parë në një vështrim më afatgjatë, kjo pikë u vjen për shtat interesave të Partisë Socialiste, e cila ka investuar kohë dhe energji në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. E vënë në kontekstin e zhvillimeve aktuale, ajo i jep një avantazh shumicës në pushtet, e cila, nëse nuk arrihet kompromisi i kërkuar, mund të adresojë shqetësimin e socialistëve te një tur i ri negociatash me ndërmjetësim të huaj. Kjo procedurë që sanksionohet si sugjerim në dokumentin e miratuar më 8 korrik, aktualizohet që tani si një instrument dialogimi, por që gjithsesi krijon kostot politike për të dyja palët. Burimet nga PS thanë dje për “Shqip” se interesi opozitar e kërkon nisjen nga puna të Komisionit Hetimor Parlamentar me garancinë e mosasgjësimit të fletëve të votimit sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi përpos të tjerave ai siguron për opozitën lëndën e parë për të denoncuar me fakte mekanizmin elektoral të 28 qershorit.
#