Podgorica: Do shtetësinë malazeze? Investo 500 mijë euro për vendin
Nëse do shtetësinë malazeze, investo gjysmë milioni euro.
Si pjesë e procesit kualifikues për marrjen e shtetësisë malazeze, njerëzit duhet të investojnë të paktën 500000 euro në Mal të Zi, prej të cilave një pjesë e mjeteve do të paguhen drejtpërsëdrejti në llogari shtetërore. Ky njoftim është publikuar në ueb sajtin e qeverisë së Malit të Zi për ndryshimin e kritereve për marrjen e shtetësisë. Sipas qeverisë, praktikë të tillë kanë Austria, Kanadaja dhe SHBA-ja, me qëllim që të tërhiqen investues të pasur të huaj. Me këtë hap, Mali i Zi dëshiron që të nxisë kompanitë e mëdha që të transferojnë selitë e tyre të firmave në shtet dhe të bëjnë teknologji të reja, inovacione që ta avancojnë transferimin e dijeve të domosdoshme, mjeshtëri dhe të krijojnë mundësi të reja për punësim. Qeveria do të punojë me firmat më të njohura botërore, si dhe kompanitë konsultative, që të krijojë kushte që mundësia për marrjen e shtetësisë malazeze t'u jepet atyre biznesmenëve që kanë biografi jokontestuese dhe biografi me kredibilitet në biznes dhe do të kontribuojnë për zhvillimin e ekonomisë malazeze. Mali i Zi e mban të drejtën diskrete në rast edhe të mendimit pozitiv të refuzojë të japë shtetësi.