Krerët e BE-së, vizitë në Tiranë për krizën
Një delegacion i lartë i Bashkimit Europian mbërrin në fillim të vjeshtës në Tiranë për krizën politike. Burime diplomatike bëjnë të ditur për “Shqip” se Bashkimi Europian do të asistojë në negociatat finale për zgjidhjen e ngërçit politik, por ende nuk bëhet e ditur në mënyrë zyrtare përbërja e këtij delegacioni. Gjatë ditës së djeshme, disa media, por edhe qarqe politike, kanë folur për një prezencë të shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian, Catherine Ashton, në Tiranë. Brukseli do të rikthejë sërish vëmendjen në Tiranë për të zgjidhur atë që mbahet peng për më shumë se një vit nga politika shqiptare: transparencën e zgjedhjeve dhe krizën politike. Ky delegacion i lartë i BE-së do të rinisë hetimin në terren të faktorëve që kanë krijuar të ashtuquajturën krizë politike. Prezenca e Ashton në Tiranë, e përfolur shumë nga qarqet mediatike, por ende e pakonfirmuar zyrtarisht nga diplomatët e huaj në Shqipëri, do të shërbejë edhe për të dëgjuar nga afër palët politike në Tiranë dhe më pas do të përgatitet një raport vlerësimi për situatën.
Axhenda e BrukselitBashkimi Europian e ka përgatitur tashmë axhendën e ngritjes së një ‘shtabi special’ për zgjidhjen e krizës politike shqiptare.
Në fakt, axhenda e Brukselit ka të përcaktuar prezencën e një delegacioni të lartë të Bashkimit Europian për politikën e Jashtme. Deri tani ishte menduar për të sjellë në Tiranë një të “dërguar të posaçëm” nga baronesha Ashton, por ka shumë gjasa që liberalizimi i vizave dhe kokëfortësia e partive për të zgjidhur krizën politike të sjellë personalisht në Tiranë në fillim të kësaj vjeshte shefen e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton. Burimet shtojnë më tej se këtë herë shqetësimi i Brukselit duket të jetë shumë i madh dhe këtë e tregon fakti që delegacionin në fjalë pritet ta kryesojë vetë shefja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Ka shumë gjasa se do të jetë baronesha Ashton ajo e cila do të marrë përsipër misionin e dëgjimit nga afër të pretendimit të palëve, për të përgatitur më pas një raport mbi përparimin e Shqipërisë dhe situatën aktuale politike në vend. Delegacioni i lartë i BE-së do të kryejë në të njëjtën kohë edhe një vëzhgim nga afër për shkallën e përmbushjes së kritereve nga pala shqiptare mbi heqjen e regjimit të vizave “Shengen”.
“Armata” e diplomatëveNë fillim të vitit të ardhshëm nis punën Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian (European External Action Service), i cili do të shpërndahet në të gjitha shtetet e globit. Siç mësohet pas marrjes në dorë të krizës politike shqiptare nga institucioni më i lartë i Bashkimit Europian, siç është Këshilli i Ministrave, i cili në qershor miratoi një deklaratë të posaçme për krizën shqiptare, gjithçka do të menaxhohet jo më nga teknicienët e Komisionit Europian, por nga “armata” e diplomatëve që drejtohet nga baronesha Ashton.
Kriza politikeZgjidhja e krizës politike shqiptare tashmë ka një dokument zyrtar të miratuar, siç është rezoluta e Parlamentit Europian, e cila u miratua më 22 qershor. Zbatimi i këtij dokumenti do të ndiqet nga përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme, e cila do të krijojë një bërthamë me ekspertë dhe zyrtarë diplomatikë, që do të koordinojë ngushtë me Presidencën belge të BE-së por edhe me selitë diplomatike të vendeve anëtare, për të raportuar mbi situatën në Tiranë.
#