Eurodeputeti grek do të raportojë çështjen çame në PE
Eurodeputeti grek, Nikolas Chountis, gjatë qëndrimit të tij dje në Tiranë është njohur jo vetëm me problemet politike të momentit, por dhe me çështjen çame, problem i ngritur nga Partia për Drejtësi dhe Unitet. Megjithëse Chountis është grek dhe shteti i tij nuk pranon ta njohë këtë problem që ka të bëjë me historinë e dy vendeve, ai në këtë vizitë vinte si raporter i Parlamentit Evropian dhe duhej të mbante shënim çdo problem të politikës vendase. Në takimin me Shpëtim Idrizin, kryetar i PDU-së dhe deputet, Chountis u njoh me qëndrimin e kësaj partie mbi të drejtat e popullsisë çame, e cila është përzënë nga Greqia në fund të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë takimit Idrizi i tha Chountis se një pikë shumë e rëndësishme e programit të PDU-së është sensibilizimi brenda dhe jashtë vendit si dhe zgjidhja e një prej çështjeve më të mëdha të mbetura pa zgjidhje siç janë të drejtat e popullsisë çame. Madje Idrizi i ka bërë një ekspoze të shkurtër të historisë së çamëve, popullsi nga e cila ai rrjedh. Ne jemi një komunitet i shqiptarëve të Çamërisë, rreth 300 mijë vetë, të krijuar në Shqipëri pas shpërnguljes me forcë nga trojet e tyre, në disa valë, ku e fundit dhe më e rënda ishte në qershor të vitit 1944, ku vetëm në një javë u shpërngulen 30 vetë dhe u vranë 2500 vetë, po aq të tjerë vdiqën nga lodhja, etja dhe uria sapo arritën në territorin shqiptar, pas këtij spastrimi të pastër etnik. Por pas kësaj historie që dhe pas kaq kohësh vazhdon të jetë rrëqethëse, Idrizi i ka bërë të ditur mikut grek se komuniteti çam ashtu si minoriteti grek mund të bëhen një urë lidhëse mes dy vendeve. Ne besojmë vërtet që minoriteti grek dhe komuniteti çam, respektimi i të drejtave të tyre janë urat e vërteta të bashkëpunimit dhe miqësisë midis të dy vendeve, - u shpreh kreu i PDU-së. Nga ana e tij eurodeputeti Chountis është mjaftuar duke thënë se si për çdo problem tjetër dhe për këtë çështje nevojitet dialog. Zyra e PDU-së njofton se pasi falënderoi kryetarin e PDU-së për ekspozenë e çështjeve kryesore politike në vend dhe për programin e kësaj partie, deklaroi se është e nevojshme që të dialogohet për të gjitha temat e të gjitha grupimeve. Sikurse tregon edhe problemi politik në vend mungesa e dialogut mund të sjellë vetëm probleme, - deklaroi Chountis. Në takim u diskutua për situatën politike në vend, për ngërçin politik në Shqipëri, problemet e emigracionit shqiptar, marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, e në veçanti me Greqinë.