E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI në Kongresin Rinor të Internacionales Socialiste

Përfaqësues të Forumit Rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim morën pjesë në kongresin botëror të 28-të të Forumit Rinor të Internacionales Socialiste në Suedi. Në këtë kongres pati pjesëmarrje nga të gjitha forumet rinore të majta nga e gjithë bota. Nga Shqipëria të vetmit përfaqësues të së majtës rinore shqiptare ishin përfaqësuesit e LRI-së, Blerina Kazaferi dhe Majlind Lazimi, të cilët patën takime me personalitete të rëndësishme të politikës së jashtme që ishin të ftuar në këtë eveniment si Rassmusen, Monah Salin - kryetarja e PS-së së Suedisë, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të IUSYT, Johan Hassel. Sekretari i Përgjithshëm i IUSYT shprehu mbështetjen e tij për Lëvizjen Rinore për Integrim për një anëtarësim të afërt në këtë organizatë. Gjithashtu, LRI gjeti mbështetje dhe nga Presidiumi i ECOSYT, në të cilën Lëvizja Rinore për Integrim është tashmë anëtare. Në zgjedhjet e këtij kongresi, presidenca e këtij forumi, kësaj radhe i shkoi Amerikës Latine, ku Presidente u zgjodh Viviana Piñeiro nga Uruguai. Sekretari i Përgjithshëm u rizgjodh Johann Hassel nga Partia Socialiste e Suedisë. Zgjedhje pati gjithashtu dhe për presidiumin dhe komisionin e kontrollit të IUSYT. Forumi Rinor i Internacionales Socialiste u formua në 1907 në Shtutgart. Ai përfshin forume rinore nga organizata socialiste, socialdemokrate si dhe partitë laburiste nga më shumë se 100 vende të botës. Unioni Internacional i Rinisë Socialiste është anëtare e Internacionales Socialiste. IUSY është anëtare e plotë e Forumit Rinor Evropian të cilat operojnë me Këshillin e Evropës, me Bashkimin Europian dhe punon ngushtë me të dyja organet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›