Eurogroup shqyrton fondin europian te shpetimit
Ministrat e financave të eurozonës të mbledhur sot në Luksemburg do të prezantojnë fondin e tyre të përhershëm të shpëtimit prej 500 miliardë euro duke vënë në funksion një mekanizëm të madh mbrojtës kundër krizës, që tani kërcënon Spanjën. Fondi, i quajtur Mekanizimi i Stabilitetit Europian (ESM), do të përdoret për t’u dhënë hua shteteve të eurozonës me probleme, në këmbim të reformave të rrepta strukturore dhe fiskale, që synojnë të kthejnë në rrugën e duhur ekonomitë, që kanë humbur besimin e investitorëve. Nga sot fondi do të jetë operativ pavarësisht se 32 miliardat e para do të mbërrijnë në fund të muajit tetor dhe do të kenë një kapacitet huaje prej 200 miliardë eurosh. 32 miliardë euro të tjera do të arrijnë në fond në vitin 2013 dhe 16 miliardat e fundit në vitin 2014. Ai është pjesë e planit të zonës së monedhës së përbashkët për një rishikim të reformave strukturore dhe integrim më të thellë, një diskutim që do të vazhdojë me bisedimet për të krijuar një buxhet të vetëm të eurozonës. Greqia dhe Spanja do të jenë dy vendet e para që do të përfitojnë nga Fondi i shpëtimit të shteteve. Detyra e tij e parë do të jetë t’i japë hua Spanjës për rikapitalizimin e sektorit të tij bankar, që është goditur rëndë nga kolapsi i tregut të pasurive të paluajtshme – një program i trashëguar nga mekanizmi i përkohshëm i stabilitetit financiar europian (EFSF). Madridi ka të ngjarë që të kërkojë 40 miliardë euro për të rikapitalizuar bankat e veta pas vlerësimeve të pavarura të nevojave të sektorit – që është më e ulët se shuma prej 100 miliardë euro që ministrat e financave të eurozonës lanë mënjanë për këtë qëllim në korrik. Paratë e ESM do të shkojnë në Spanjë në nëntor, pasi autoritetet e konkurrencës së Komisionit Europiane të miratojnë kushtet për rikapitalizimin e secilës bankë. Ndërkohë që kancelarja Angela Merkel pritet të mbërrijë në Athinë ditën e nesërme, qeveria e Samaras ka dhënë alarmin se paratë e buxhetit të shtetit përfundojnë në fund të nënëtorit. Gjithsesik as Eurogrupi dhe as samiti i krerëve të qeverive dhe shteteve që do të mblidhet më 18 dhe 19 tetor në Bruksel nuk do të vendosin asgjë mbi ndihmat e Greqisë, nuk do të pronocohen as edhe për zgjatjen e afatit për rimbursimin e detyrimeve e as për rolin që do të ketë BQE mbi normat e interesit mbi kreditë e tyre.