Eurokomisionerja Malmstrom nesër viziton Kosovën

Komisionerja evropiane për çështje të brendshme, Sesilia Malmstrom do të vizitojë nesër Prishtinën. Lajmi bëhet i ditur nga zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë e cila ka theksuar se komisionerja Malmstrom do të qëndrojë në Prishtinë më 19 dhe 20 janar.
Qëllimi i vizitës së saj është shënimi i nisjes së dialogut me Kosovën për liberalizimin e vizave. Malmstrom do të takohet nesër me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe me anëtarët e kabinetit të tij.
Gjatë vizitës në Kosovë, ajo gjithashtu ka planifikuar të takohet edhe me shefin e EULEX-it, Ksavier Bu de Marnak.
Ndërsa të premten, para largimit të saj nga Kosova, Malmstrom do ta realizojë një vizitë në shkollën "Selman Riza" në Fushë Kosovë, thuhet në deklaratën e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.