E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanoviç: Përfaqësimi rajonal i Kosovës sipas rezolutës 1244

Çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt, por në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kështu ka përsëritur kreu i ekipit serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanoviç.

Ai ka thënë se Prishtina deri tani është përfaqësuar në 96 për qind të organizatave rajonale, “por se në tabelën që gjendet para delegacionit të tyre duhet të shkruaj "Rezoluta 1244", e jo diçka tjetër për pavarësinë e Kosovës”.

Stefanoviç, në një forum të Partisë Demokratike të Serbisë të mbajtur në Kralevë, njoftoi se deri në fund të janarit do të arrihet marrëveshja që qytetarët të mos paguajnë sigurimin e automjeteve kur kalojnë kufirin Kosovë-Serbi. Ndërsa, shton se marrëveshjet e arritura në dialog me Prishtinën “në asnjë mënyrë nuk e shkelin Kushtetutën e Serbisë, apo kërcënojnë integritetin e saj”.

Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës serbe se po bëhen bisedime sekrete me Prishtinën, duke theksuar se çdo marrëveshje e arritur është postuar në faqet e internetit dhe se marrëveshjet janë arritur pas konsultave të mëparshme “me serbët e Kosovës, kishën, universitetin dhe OJQ-të”.

Sipas vlerësimit të tij, përmes dialogut me Prishtinën, Serbia ia ka dalë të ketë ndikim në territorin ku nuk kishte qasje që nga viti 1999.

Atij nuk i pëlqen se si administrata ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i, kanë transferuar 90 për qind të tek autoritetet e Prishtinës, ndërsa tani paralajmërojnë edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës.

"Serbia në këtë mund të ndikoj vetëm me politikën aktive të bisedimeve, e jo me fraza e ideologji”, thotë ai, transmeton Politika.

Sipas tij pa BE-në Serbia humbë bashkëbiseduesit dhe aleatët, dhe e izoluar nuk mund të mbrojë interesat në Kosovës, gjë që e tregon edhe përvoja e vitit 1999.


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›