E Martë, 3 Nëntor 2026

Euroliga e meshkujve, Spektakël në RTSH

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të klubeve për meshkuj, Euroliga, vijon sezonin e saj të rregullt dhe përgjatë kësaj jave do të luhen së bashku dy javë të saj, ajo e 30-ta dhe ajo e 31-të.

Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë deri të premten për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport takimet më të spikatura. Dhe ato kanë nisur të martën me duelin më të spikatur të javës së 30-të, atë midis Anadollu Efesit dhe Olimpiakosit. Në fakt, sfida që u luajt në Stamboll ka parë skuadrën turke të mbizotërojë dhe është ajo që e fiton 10-minutëshin e parë me 5 pikë epërsi, 26-21.

Madje skuadra vendase do të vazhdojë të reagojë në 10-minutëshin e dytë, duke e fituar edhe atë, 22-16, dhe duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me një epërsi prej 11 pikësh, me shifrat 48-37. Megjithëse Olimpiakosi do të dalë një skuadër më e vendosur nga dhomat e zhveshjeve, teksa e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 24-16, është Anadollu Efesi që vazhdon të kryesojë pas një gjysmë ore lojë me 3 pikë epërsi, 64-61.

Megjithatë, skuadra turke nuk lëshon, duke e fituar 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit 17-11 dhe gjithë ndeshjen 83-72. Të mërkurën Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë një tjetër sfidë të bukur të javës së 30-të, atë që do të vijë drejtpërdrejt për sportdashësit duke nisur nga ora 18:45, midis Fenerbehçes dhe Barcelonës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›