E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa League Vllaznia kerkon kualifikimin ne turin e pare

Vllaznia kërkon kualifikimin në turin e parë të Europa League, ku përballë do të ketë maltezët e Birkirkara. Shkodranët kanë mbyllur përgatitjet e fundit, përpara transfertës dhe në problemet e teknikut Mirel Josa, janë vetëm mungesat e rëndësishme të Vioresin Sinanit dhe Armir Grimës, pasi për Vajushin aktivizimi duket plotësisht i mundur, edhe për faktin se sulmuesi është stërvitur rregullisht.

“Jam i kënaqur duke pasur parasysh ndeshjen me Buduçnoshtin, që skuadra ka qenë në ngarkesë e sipër dhe nuk është bërë asnjë ulje e ngarkesave sa i përket lëvizshmërisë fizike të skuadrës dhe përsa i përket përkushtimit të futbollistëve. Kemi problemin e dy lojtarëve të cilët nuk mund të marrin pjesë në ndeshjet e para si Sinani dhe Grima. Për gjendjen e Vajushit i cili është stërvitur gjatë gjithë periudhës nuk kam asnjë lloj problemi sepse është një futbollist që është stërvitur edhe gjatë periudhës që ne kemi qenë në pushim e sipër”-tha Mirel Josa, trajner i Vllaznisë.

Kuqeblutë kanë ruajtur grupin e futbollistëve me të cilët kanë mbyllur edicionin e kaluar, kur shënuan edhe një ecuri positive në fazën e tretë të Superligës. Grupi në dispozicion të Josës është shtuar me Shtubinën, ndërsa pritet edhe mbërritja e mbrojtësit nigerian Abraham.

“Problemi im tani për tani, siç është dhe problemi i gjithë skuadrës është si ta kalojmë me sa më tepër sukses ndeshjen e parë, e cila ka shumë vështirësi. Duhen parë të gjithë komponentët, megjithatë gjithë ekipet në këtë formë punojnë dhe ne jemi  të detyruar t’i marrim maksimumin skuadrës në ndeshjen e parë të Europa League”-theksoi ai.

Vllaznia do të zbresë në fushën e Hibernians Ground në 30 qershor për sfidën e parë kundër Birkirkara, ndërsa kthimi do të luhet një javë më pas në stadiumin Loro Boriçi.

Bruna Gjoka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›