Europa League nuk i pengon Man Utd-it

Nëse Djajtë e Kuq shkojnë deri në fund të garës në Evropë, atëherë ata duhet të zhvillojnë edhe tetë përballje kontinentale. Angazhimi shtesë do të përcillet me orar të ngjeshur pasi deri në fund të Premierligës kanë mbetur të zhvillohen edhe 13 ndeshje.
Megjithatë, Rooney insiston se rrugëtimi i zgjatur në Evropë nuk mund të konsiderohet si pengesë për Manchester Unitedin.
“Nuk brengosem se Europa League do të na pengojë në ligë, aspak”, tha ai. Manchester United pret Ajaxin në ndeshjen e dytë të fazës eliminatore të garës të enjten dhe është favorit për të vazhduar tutje pas fitores 2-0 në duelin e parë në Amsterdam.
“Është sfidë për të gjithë ne. Jemi skuadër që synon të fitojë çdo garë në të cilën merr pjesë dhe këtë e ka dëshmuar edhe menaxheri duke inkuadruar ekipin më të mirë. Do të ishte mirë të jemi skuadra e parë e Unitedit që fiton këtë trofe, ky është synimi ynë”, përfundoi Rooney.