E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa dhe Kombëtarja zbehin kampionatin

Ndryshe nga çdo fund gushti, ku interesi ishte për startin e sezonit e kampionatit, këtë sezon ka qenë ndryshe. Kjo për dy arsye. E para, si asnjëherë tjetër, dy ekipe shqiptare janë duke luajtur në fazën “play-off” të Ligës së Europës dhe ecuria e tyre ka qenë për t’u përshëndetur, sidomos e Kukësit, që ka kaluar tri ture në këtë kompeticion. Por duket se shanset për të ecur më tej i ka Skënderbeu dhe e gjithë vëmendja e tifozërisë dhe jo vetëm asaj korçare, është përqendruar në ndeshjen e kthimit më 29 gusht, kur do të luhet në Tiranë kundër Çernomorets Odesa, që ndeshjen e parë e ka fituar në Ukrainë 1-0. Interes ka edhe çdo lëvizje, ftesë apo lajm te Kombëtarja shqiptare. Shqipëria do të grumbullohet më 2 shtator, pasi më 6 dhe 10 shtator do të luajë ndeshjet e radhës për Eliminatoret e Kampionatit Botëror.
EUROPA
Që ka pasur interes të madh për ndeshjet e ekipeve shqiptare që luajnë në Europë, mjafton të përmendim mbushjen e stadiumit “Qemal Stafa” në takimin e parë të “play-off”-it kundër Trabzonsporit, ku Kukësi u mund 0-2. Ishin mbi 10 mijë tifozë, si rrallëherë kaq shumë për një ekip. I njëjti interes pritet për Skënderbeun në ndeshjen e kthimit më 29 kundër ukrainasve, ku premio e madhe dhe shanset reale që kanë kampionët shqiptarë për të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, e bëjnë që kjo ndeshje të jetë në krye të mbarë opinionit sportiv shqiptar. Ndërsa Kombëtarja shqiptare, duke pasur shanse reale për të shkuar të paktën në fazën “play-off”, e ka ndezur që tani atmosferën për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Islandës, të dyja ndeshje që do të luhen jashtë, por që gjithsesi, interesimi është i jashtëzakonshëm.
KAMPIONATI
Shumë ekipe po vuajnë nga ana financiare dhe nuk kanë bërë merkato të bujshme, ashtu siç kanë bërë sezonet e shkuara. Flamurtari vjet në këtë periudhë ishte “mbreti i merkatos”, ndërsa këtë sezon përforcimet nuk kanë qenë cilësore sa largimet. Tirana po vuan në ngërçin e saj për të zgjidhur problemet, ndërsa Vllaznia duket se do të bazohet vetëm te shkodranët. Interes ka vetëm për Partizanin nga tifozët e shumtë, por që gjithsesi, nuk garanton për të luftuar për titull apo trofe. Më 31 gusht starton kampionati, ku sfida Vllaznia-Flamurtari, kryendeshja e këtij starti, nuk është se po pritet me ndonjë interes të madh.
(E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›