Europa dhe themelet e saj të sigurta
Pritshmëria është e madhe. Është një takim shumë i rëndësishëm jo vetëm për Europën, por edhe për fatet e ekonomisë globale. Priten aksionet konkrete që do të ndërmarrë Europa për krizën. A do të jetë një takim i suksesshëm? A do të arrihet vërtet tek aksionet konkrete në këto dy ditë? E gjithë vëmendja është përqendruar tek takimi i Brukselit që ka filluar ndërkaq. Prej muajsh flitej për këtë takim. Do të flitet dhe do të vendoset për një bashkim ekonomik dhe monetar siç është përcaktuar edhe nga katër presidentët, Mario Dragi, Barroso, Juncker dhe Van Rompuy. Një raport ky që shpreh në njëfarë mënyre një vullnet politik deri tani të munguar. Gjëja më e paktë që mund të ndodhë janë propozimet të cilat duhet të gjejnë pastaj shpejt edhe aprovimin e liderëve europianë. Natyrisht po bëhet gjithçka për të shpëtuar euron. Problem i parë është padyshim Greqia pastaj Spanja dhe Qipro. Ndoshta Greqia mund të kërkojë edhe pak kohë. Do të jenë vite të dhimbshëm është thënë dy vjet më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ashtu kanë qenë vërtet. Ndërkaq kreditorët zyrtarë nuk mund të rinegociojnë ndihmën e tyre dhe jo vetëm për taksën e interesit dhe kohëzgjatjen, por edhe për ritmin e ndërhyrjeve. Edhe një shtet si Greqia mund të kërkojë rregullime apo ndreqje të pafundme por në fund të fundit edhe pse zgjedhësit nuk mund të jenë dakord për masat shtrënguese ato përsëri do të merren sepse çështja është se masat greke duhet të arrijnë medoemos deri në pesë pikë e gjysmë të Gdp të parashikuara nga marrëveshja me trojkën për dy vitet e ardhshme. Nga takimi i Brukselit priten përgjigje të menjëhershme duke parë edhe situatën e Spanjës dhe Qipros. Ndoshta është humbur shumë kohë nga këto dy shtete përpara se të kërkohej ndihma dhe jemi përsëri këtu ku tashmë të dy vendet kërkojnë ndihmë në favor të bankave të tyre. Në vigjilje të takimit të Brukselit takimet mes liderëve europianë ishin bërë më të shpeshta. Takimi mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Hollande u krye përpara takimit Europian të Brukselit për të gjetur dy linja të përbashkëta. “Nuk ka zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta për krizën. Nuk ka formula magjike. Detyra jonë është të gjejmë zgjidhje aftgjata” - është shprehur kancelarja gjermane Angela Merkel. Nga ana tjetër presidenti francez ka shtuar se: “jemi të ndërgjegjshëm për masat që duhet të përgatisim për stabilitetin financiar dhe kërkojmë të thellojmë bashkimin ekonomik, monetar dhe politik për të arritur në më shumë integrim dhe më tepër solidaritet”. “Situata është e rëndë - ka shtuar kancelarja gjermane - dhe kemi detyrimin për të ndërtuar një Europë të fortë dhe me stabilitet për të ardhmen. Kemi nevojë për më shumë Europë. Për një Europë që të funksionojë, tregjet kërkojnë këtë, dhe për një Europë në të cilën anëtarët të ndihmohen”. Nga ana tjetër edhe për vetë Italinë, Spanjën apo Qipron ky takim është shumë i rëndësishëm. Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti do të përpiqet që me liderët kryesorë të Europës të kërkojë një mbështetje të linjës të ashpër dhe të asaj për rritjen ekonomike. “Është një moment plot shqetësim për të ardhmen e Europës dhe është e rëndësishme që Italia të shkojë në negociatat e Këshillit të Bashkimit Europian më një bashkëpunim të ngushtë parlament-qeveri” - ka nënvizuar Monti që ndërkaq ka shkuar në këtë takim me reformën e punës tashmë të kryer deri në detaje. Ndërsa nga na tjetër edhe situata, sipas kancelares gjermane është e vështirë sepse sipas saj Europa dhe liderët e Bashkimit Europian ndihen “të angazhuar për të krijuar një Europë me një valutë më të fortë”. Duhet një Europë me themele të sigurta. Kancelarja në fjalën e saj ka përgëzuar Italinë e Mario Montit. “Italia e Mario Montit ka marrë rrugën e forcimit të financës publike, të rritjes dhe të kompetivitetit”. Edhe Franca e Hollande ka formalizuar propozimet e një dokumenti që kishte të bënte me paktin për rritjen që presidenti i kishte dërguar më 14 qershor liderëve europianë. E ngjeshur edhe axhenda me takime me presidentin e Bankës Qëndrore Europiane Mario Dragi pastaj me guvernatorin e bankës qendrore franceze Kristian Noyer, për të përfunduar në Paris me ministrin e financave Moskovici. Duke kërkuar në të njejtën kohë edhe një pozicion që mund të japë ekuilibër për kontrolin e bilancit dhe të bankave dhe një solidaritet më të madh financiar.
...