E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonfirmohet mazhoranca, me miratimin e ministrave të rinj; Noka, Tavo e Panariti

29-06-2012 / Gazeta 55

Miratohet me 72 vota pro emërimi i Flamur Nokës si ministër i Brendshëm, Edmond Panaritit si ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinastos si Ministër i Ekonomisë dhe Vangjel Tavos si ministër i Shëndetësisë

Kuvendi shprehu dje votëbesimin për ndryshimet në qeverinë “Berisha”. Sipas propozimeve të Kryeministrit Berisha, të dekretuara nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, u realizuan me 71 votat e deputetëve të mazhorancës në këtë seancë plenare shkarkimet e ministrave dhe emërimet e reja në ekzekutiv.
Votimi i parë ishte shkarkimi zyrtarisht nga detyra e ministrit të Brendshëm e Presidentit të zgjedhur me 11 qershor Bujar Nishani, i cili po përgatit kabinetin për t’u betuar si kryetar shteti më 24 korrik, ditë kur zyrtarisht nis mandatin e tij 5 vjeçar.
Në postin e rëndësishëm të ministrit të Brendshëm u emërua demokrati tjetër Flamur Noka, aktualisht deputet dhe sekretar organizativ i PD-së.
Nga radhët e LSI-së, Kuvendi votoi daljen nga qeveria të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili zëvendësohet me ish-nënkryetarin e Kuvendit Vangjel Tavo. U shkarkua gjithashtu ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i cili i la vendin Edmond Haxhinastos, teksa ky i fundit zëvendësohet me Edmond Panaritin
Për Nasip Naçon nuk është e re detyra që mori pas largimit nga qeveria.
Më 23 qershor kryeministri Sali Berisha emëroi deputetin demokrat Flamur Noka në postin e ministrit të Brendshëm, post i mbetur vakant pas zgjedhjes së Bujar Nishanit si president i ri i vendit.
Po ashtu, përveç emrit të Flamur Nokës, Kryeministri i dërgoi presidentit të Republikës për dekretim dhe emrat e tre ministrave të tjerë të propozuar më 22 qershor nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministër i Jashtëm i vendit u propozua Edmond Panariti, nënkryetar aktual i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ministri aktual Edmond Haxhinasto kaloi te ministria e Ekonomisë.
Në ministrinë e Shëndetësisë LSI propozoi Vangjel Tavon, i cili zëvendësoi Petrit Vasilin, i rikthyer për të mbuluar funksionet partiake.
Ndërsa Kuvendi ka hyrë në muajin e fundit të punës së këtij sesioni, ka përmbyllur zgjedhjen e presidentit të republikës dhe ndryshimet në qeveri, por sfidat për të nuk kanë përfunduar, një pjesë e të cilave e kanë të domosdoshme votën e opozitës.
Mazhoranca dhe opozita miratuan më herët me konsesus kalendarin trejavor të punimeve në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, por pritet për t’u parë se sa ky konsensus do të përkthehet në reforma dhe përmbushje të plotë të kalendarit të sapo miratuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›