Berisha: Monumenti për 100 vjetorin e Pavarësisë do vendoset te Parku “Rinia”

Komiteti për 100 vjetorin e pavarësisë miraton vendvendosjet e 5 veprave kushtuar kësaj ngjarjeje
Në 100 vjetorin e Pavarësisë Shqipëria do ketë një monument që i kushtohet tërësisht kësaj ngjarje historike. Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, Komiteti për 100 vjetorin e pavarësisë miratoi dje vendvendosjet e 5 veprave kushtuar kësaj ngjarjeje. Monumenti i Pavarësisë do të vendoset në qendër të kryeqytetit, tek Parku “Rinia”, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithashtu Komiteti Ndërministror vendosi që Shtatorja e Ahmet Zogut të vendoset në sheshpushimin në fund të Bulevardit “Zogu I”. Ajo e Hasan Prishtinës në sheshin "Paris", ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së “Durrësit”, Shtatorja e Ismail Qemalit në Lulishten në kryqëzimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me rrugën "Ismail Qemali". Monumenti i Kongresit të Lushnjes, në Lulishten qendrore të këtij qyteti. “Siç jeni informuar ka përfunduar monumenti për 100 vjetorin e pavarësisë dhe janë propozuar dy vende, por vendin përfundimtar do ta vendosim sot. Njëri është tek Parku Rinia dhe tjetri është midis Bankës së Shqipërisë dhe Teatrit të Kukullave. Në fakt, duhet të mendojmë për një Teatër Kukullash diku në qendër, pasi do të ishte mirë që atë sallë, e cila është salla e parë e parlamentit të vendit, ta rindërtonin e t’ia kthenim bashkisë së Tiranës për parlamentin e Tiranës. Kjo bashki e ka sallën e vet të parlamentit për kryetarin e këshilltarët, ndërsa qytetarët nuk mund të ulen kund aty, për shkak të vogëlsisë së saj. Si kudo, ashtu siç është parlamenti i vendit, edhe parlamentet e kryeqytetit kanë lozhat dhe vendin e përcaktuar për qytetarët, për të ndjekur mbledhjet e Këshillit. Kjo kërkon që në elementet e qendrës të mund të gjejmë një vend për Teatrin e Kukullave, pasi edhe ky Teatër ndiqet me kënaqësi nga fëmijët e nuk mund t’i privojmë fëmijët prej tij. Por kjo do të bëhet, pasi të gjendet se ku mund të ndërtojmë a blejmë një Teatër Kukullash të ri, të përshtatshëm për fëmijët”- u shpreh Berisha.
Ai theksoi se “monumenti i Kongresit të Lushnjës është një monument i shkëlqyer i cili meriton të jetë në sheshin qendror të qytetit”. “Monumenti është shumë i bukur dhe do të doja t’ju sugjeroja që sheshi qendror i qytetit ta kishte këtë monument. Në qendër është një monument, për të cilin unë nuk kam qortime, por ka pasur një djallëzi të madhe me vendosjen e tij atje. Monumenti i kallinjve të grurit, për të cilin nuk mund të ketë objeksion, pasi edhe gruri, edhe punonjësit e tokës, edhe fermerët meritojnë nderimin më të madh, por e vërteta është se ai monument u vendos aty vetëm për të errësuar Kongresin e Lushnjës. Një ngjarje kjo që de facto është shpallja e dytë apo materializimi, jetësimi i pavarësisë së Shqipërisë, i kësaj Shqipërie që kemi sot. Deri atëherë flamuri ishte shpallur, por përpjekjet ishin të jashtëzakonshme për ta shuar Shqipërinë dhe faktikisht, ajo nuk ekzistonte në territorin e saj. Meqenëse si Këshilli i Shtetit, ashtu edhe qeveria ishin armiq për Enver Hoxhën ai bëri gjithçka që këtë ngjarje të madhe ta vinte në harresën e historisë, ndaj vuri në sheshin qendror të këtij qyteti monumentin e kallirit të grurit, në një kohë kur Kongresi u mblodh aty, si akt e dëshmi, përveç të tjerash, e guximit, trimërisë së qytetarëve të Lushnjës, të familjeve lushnjare që morën përsipër të mbrojnë e garantojnë zhvillimin e Kongresit. Kjo nuk ka qenë rastësore dhe ky Kongres nuk u mblodh në ndonjë qytet të tjetër, por pasi aty kishte garanci më të plotë. Ata burra të shquar u mblodhën dhe i hodhën poshtë me vendimet e tyre këto qëllime ndaj Shqipërisë dhe unë të përgëzoj zoti Plasari se diku e keni quajtur mrekullia shqiptare dhe është absolutisht mrekullia shqiptare. Të vjen keq që shqiptarët nuk e njohin kaq mirë këtë ngjarje që përbën realisht një mrekulli shqiptare. Por diktatori mori dhe e vuri kallinjtë e grurit dhe bëri gjithçka që kjo ngjarje të mbetej sa më në harresë. Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë se po ky diktator pati nisur sulmin edhe ndaj Ismail Qemalit, kur deklaroi për pavarësinë e Shqipërisë: një grup bejlerësh për interesa të tyre tundën flamurin në Vlorë. Por mbrapa diktatori nuk arriti kurrë ta mbrojë më këtë tezë kryekëput antikombëtare dhe kjo vetëm e vetëm se ai ishte Ismail Bej Vlora. Më pas u bë gjithçka që të mos quhej Ismail Bej, iu ndërrua madje edhe ditëlindja, pasi i binte më 16 tetor dhe ia ‘degdisën’ atë, në një muaj tjetër. Ndaj unë mendoj që të diskutohet me autoritetet vendore. Ngjarja më e spikatur në historinë kombëtare, pas pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, është Kongresi i Lushnjës, ndaj uroj dhe dëshiroj që ata t’i japin vendin q meriton”- tha ai.
Duke folur për monumentin e Pavarësisë, por dhe monumente të tjera që do të vendosen në kryeqytet apo në qytete të tjera të vendit, për të ngritur në piedestalin që meritojnë babain e kombit Ismail Qemalin, bashkëudhëtarët e tij në shpalljen dhe firmosjen e aktit të pavarësisë, që janë ndërtimi i shtatores së Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit. Kryeministri kërkoi asistimin e historianëve për të rishikuar disa nga figurat historike, mbi të cilat është hedhur baltë. “Historianët duhet të merren me trajtimin e disa figurave, të cilat kanë kontribut të madh në historinë kombëtare. Të marrim Bahri Omarin, një nga atdhetarët më të flaktë të kësaj toke, një nga themeluesit e organizatave patriotike të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një njeri që një pjesë të madhe të pasurisë së tij do ta vinte në shërbim të luftës. Por pse pranoi të jetë tre muaj ministër dhe nuk them se bëri mirë, absolutisht vepra e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët është dhjetëra herë më e pakrahasueshme me gabimin që ka bërë. Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që figurat t’i vendosim në piedestalin që meritojnë. Nuk mund të trajtohen gjërat vetëm bardhë e zi. Unë mora Bahri Omarin, por ka edhe shumë të tjerë.
Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që në këtë 100 vjetor të çlirohen nga balta e pamerituar që është hedhur mbi ta, si një akt ky, qytetar, por edhe si detyrim madhor atdhetar ndaj tyre. Asnjë nga këto figura nuk ka qenë e zhdërvjelltë në të gjithë veprimtarinë e vet. Qoftë edhe një i vetëm. Sepse kështu ishte koha. Këta ishin burra e gra që përballeshin me fuqitë më të mëdha koloniale të kohës kundër, por pa kontributin e tyre, ne nuk do të ishim kurrë këtu, ku jemi. Ndaj është e domosdoshme një vështrim më gjakftohtë, më i ndershëm e i qytetëruar i historisë sonë kombëtare”- tha ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu se 100-vjetori i pavarësisë do të festohet gjithandej botës, ku Shqipëria ka përfaqësitë e veta diplomatike. Ai kërkoi që në kuadër të këtyre festimeve të shihet mundësia për prezantim me filmin “Besa”, si dhe dokumentari i aktores Eliza Dushku, por duke respektuar të drejtat e autorit. Kryeministri e ka cilësuar një moment të rëndësishëm edhe ngjitjen ne malin Everest të një ekipi alpinistësh shqiptarë, të cilët vendosën atje flamurin kuq e zi. Kjo është një ngjitje historike, theksoi Kryeministri, ndërsa solli vëmendje dhe ngjitje kozmike të flamurit shqiptar në hënë në vitin 1972.
Vendvendosjet e 5 veprave, 2 monumente dhe 3 shtatore, për 100 vjetorin e pavarësisë
Monumenti i Pavarësisë
Komitetit vendosi që Monumenti i Pavarësisë të vendoset tek Parku Rinia, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit.
Shtatorja e Ahmet Zogut
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishihet. Ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje sheshpushimi në fund të Bulevardit Zogu I.
Shtatorja e Hasan Prishtinës
Komiteti miratoi si vendvendosje të shtatores në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “ Mine Peza” dhe Rrugës “Durrësit”.
Shtatorja e Ismail Qemalit
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ismail Qemalit të rishihet dhe u miratua si vendvendosje sheshi në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”
Monumentit të Kongresit të Lushnjës
Komiteti propozoi si vendvendosje për Monumentit të Kongresit të Lushnjës sheshin në lulishten qendrore të qytetit. Komiteti la si detyrë që Ministri i Turizmit dhe Kulturës t’i përcjellë kryetarit të bashkisë së Lushnjës dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak propozimin e Komitetit dhe të diskutojnë për këtë vendvendosje.
...