Europa në ekran
Ata që nuk kanë pasur rastin ende ta shohin filmin e njohur ‘Artisti’, i cili fitoi disa çmime Oscar, mund ta bëjnë këtë të shtunën, në Teatrin Kombëtar. Ky film, bashkë me disa filma të tjerë europianë, do të shfaqet në kuadër të Javës së Filmit Europian, i cili do të fillojë sonte (e mërkurë) e do të zgjasë deri më 11 nëntor. Për të organizuar këtë javë janë mbledhur nëntë ambasada të shteteve europiane në Prishtinë, të cilat kanë përzgjedhur filmat më të mirë të vendeve të tyre. Janë njëmbëdhjetë filma, që vijnë nga vendet si Gjermania, Franca, Turqia, Belgjika, Italia, Britania e Madhe, Finlanda, Austria dhe Suedia, të cilët do të shfaqen gjatë pesë ditëve.
Marlène Pouliquen, drejtoreshë e Aleancës Franceze, në një konferencë për media, që u mbajt të martën në Teatrin Kombëtar, u shpreh e lumtur që këtë vit do ta organizojnë Javën e Filmit Europian.
“Jemi shumë të gëzuar se këtë vit do t’ia shfaqim juve Javën e Filmit Evropian, eveniment ky i organizuar nga Aleanca Franceze në bashkëpunim me Gjermaninë, Turqinë, Belgjikën, Italinë, Britaninë e Madhe, Finlandën, Austrinë dhe Suedinë”, tha ajo.
Pouliquen tregoi se secila ambasadë ka bërë përzgjedhjen e një filmi, përpos asaj të Gjermanisë dhe asaj të Francës, të cilat kanë përzgjedhur nga dy filma, për shkak se shënojnë 50-vjetorin e miqësisë gjermano-frënge.
I pranishëm në konferencë qe edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili tha me këtë rast se Java e Filmit Evropian do të jetë një mundësi e mirë që pas shfaqjes së filmave europianë të nxiten debate rreth zhvillimit të kinematografisë në vend.
“Kjo javë që do të jetë përplot me filma, me 11 filma shumë cilësorë që kanë marrë shumë shpërblime dhe vlerësime nga kritika anembanë botës, do të jetë një javë që do t’i ofrojë publikut të gjerë kosovar, në radhë të parë kineastëve, por edhe filmdashësve mundësinë për t’i parë këta filma, shumicën prej tyre, për herë të parë në Kosovë dhe ajo që besoj se është për t’u vlerësuar është fakti se nuk do të ketë pengesa qofshin ato financiare apo gjuhësore, meqenëse për të gjitha shfaqjet hyrja do të jetë gratis”, tha ministri Krasniqi, duke shfaqur shpresën se kjo iniciativë të jetë tradicionale. Ministri Krasniqi e shfrytëzoi këtë konferencë për të treguar për arritjet e ministrisë të cilën ai e udhëheq lidhur me kinematografinë. Ai tha se në Kosovë ka hapa pozitivë në kinematografi, sidomos në aspektin e prodhimit. Ministri përmendi sukseset e disa filmave nga Kosova, siç janë ‘Kthimi’ dhe ‘Kolonat’, të cilët kanë arritur të shpërblehen në festivale të rëndësishme botërore dhe, sipas tij, janë duke e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze kinematografinë kosovare. “Për herë të parë Kosova ka arritur që të përfaqësohet edhe zyrtarisht në festivalet më të mëdha evropiane, siç është festivali i Kanës, i Berlinit, Cotbusit etj.”, tha Krasniqi, duke i falënderuar në fund të gjitha ambasadat që i janë përgjigjur kësaj iniciative.
Përveç filmit ‘The Artist’, nga Franca vjen edhe filmi ‘Intouchables’, nga Gjermania do të shfaqen filmat ‘Soul Kitchen’ dhe ‘Neukolln Unlimited’, pastaj do të shfaqet filmi turk ‘Sessiz-Be Deng’, filmi italian ‘La Prima Cosa Bella’, ai austriak ‘Black Brown White’, filmi belg ‘Turquaze’, ai suedez ‘The Wedding Photographer’ si dhe ‘The Forbidden Fruit’ nga Finlanda. Nga Britania e Madhe janë përzgjedhur tetë filma të shkurtë, të cilët kanë qenë në garë për çmimet Bafta për vitin 2012.