E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat e papunuara bujqësore, si do të ndahen 50 mijë ha

Verifikimi i tokave, dy muaj pas miratimit të ligjit

Mbërrin në Kuvend projektligji “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, i cili parashikon rishpërndarjen e atyre parcelave të lënë djerrë, në favor të fermerëve. Drafti i hartuar nga Ministria e Bujqësisë, thotë se në të gjithë vendin janë rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore me pronësi private, por që nuk punohet, për shkaqe që lidhen me kushtet ekonomike apo emigrimi. Në projektligj janë përcaktuar të gjitha afatet e ngritjes së komisionit për verifikimin e tokave, njoftimin e pronarëve, të cilët nuk i punojnë ato, si dhe procedurën që do të ndiqet për dhënien me qira.

Problemet

Pavarësisht masave të marra nga qeveria dhe programeve mbështetëse, dukuria e mospunimit të tokës bujqësore vazhdon të jetë ende problematike. Sipas ministrisë, zona e Ultësirës Perëndimore, identifikohet si më problematikja, për shkak edhe të prodhueshmërisë. Moskultivimi i tokave lidhet me aspektet sociale, ekonomike, por kryesisht të emigrimit, ku konstatohen periudha të gjata kohore të lënies pas dore të tokës. Për këtë qëllim, qeveria e pa të arsyeshme të shqyrtonte variantet për të nxitur fshatarin të punojë tokën, duke parë modelin e disa vendeve të vendosjes së taksës shtesë, ose ta jepte me qira. Duke qenë se as taksa aktuale nuk paguhet nga të gjithë, edhe pse konsiderohet modeste, Ministria e Bujqësisë, pa të arsyeshme dhënien me qira sipas rregullores së re, e cila pritet të miratohet shumë shpejt nga Kuvendi i Shqipërisë. Në bazë të statistikave zyrtare, janë rreth 560 mijë hektarë tokë, ose rreth 80 për qind, në dorë të privatit, kurse shteti zotëron pjesën e mbetur, pra rreth 138 mijë, ose 20 për qind. Kjo pjesë parashikohet të shkojë për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, kanë marrë tokë 460 mijë familje bujqësore, ose 60 për qind e popullsisë.

Procedurat

Në ligjin e ri, “tokë bujqësore e pakultivuar”, cilësohet toka bujqësore e cila nuk është përdorur dhe shfrytëzuar për qëllime bujqësore, nga pronari ose poseduesi i ligjshëm, për të paktën 2 vjet. Për evidentimin e tokave bujqësore të pakultivuara, pranë çdo komune dhe/ose bashkie, do të krijohet dhe funksion komisioni, me tre anëtarë. Komisioni bën çdo vit, brenda 15 shtatorit, verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat. Verifikimi bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Në mungesë të pronarit, komisioni mund të sigurojë informacion nga pronarët kufitarë, të afërm të tij apo banorë të tjerë të fshatit. Kryetari i njësisë vendore publikon, brenda datës 15 tetor të çdo viti, listën emërore të pronarëve ose poseduesve të ligjshëm me sipërfaqet përkatëse të tokave, të evidentuara si të pakultivuara në çdo fshat. Kjo listë afishohet, për një afat prej 45 ditësh, në qendër të komunës dhe në fshatin përkatës. Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni dhe shqyrtimi kryhet brenda 5 ditëve nga marrja e ankesës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›