Europe vazhdon kaosi dhe bllokimi i transportit
Kryeministri britanik ka ofruar trupat ushtarake që të ndihmojnë në qetësimin e situatës në aeroportet e vendit, të cilat kanë qenë të bllokuara që prej disa ditësh, për shkak të kushteve shumë të rënda atmosferike.
Megjithatë ka pasur shumë kritika në lidhje me menaxhimin e keq që i kanë bërë aeroportet, situatë e cila edhe pse e rëndë, nuk ka qenë fatale.
Ndërkaq kjo situatë me ndalime të fluturimeve dhe vonesa të pasagjerëve ka rënë e gjitha në kurriz të pasagjerëve, një pjesë e mirë e të cilëve janë detyruar që të kalojnë disa ditë nëpër terminalet e aeroporteve tërësisht të bllokuara për të katërtën ditë rresht. Kryeministrit Cameron deklaroi se qeveria e tij kishte ofruar ushtrinë që të ndihmonte në zgjidhjen e situatës në aeroportin më të madh të Europës, atë të “Hithrow”, që ka qenë si kurrë më parë i bllokuar për një kohë të gjatë dhe në kolaps të plotë.
Por situata e dëshpëruar nuk është vetëm në Londër dhe në qytete të tjera të Britanisë së Madhe, por edhe në aeroporte të tjera të mbarë Europës dhe në linkun e Eurostar-it. Kjo ka bërë që mijëra vetë të mbesin nëpër stacione trenash, në prag të Krishtlindjeve, ku normalisht pritet një fluks më i madh lëvizjesh, krahasuar me momentet e tjera të vitit. Ndërkohë edhe rrugët kanë ngrirë, duke e bërë qarkullimin shumë të rrezikshëm. Të shumtë janë ata që kanë hequr dorë nga udhëtimet që mund të përfundojnë, ose me ndalesa të gjata pritëse, ose me ndonjë aksident të padëshiruar.
Ndërkohë komisioneri i Transportit në Komisionin Europian deklaroi se rregulloret e reja, që duhet të kishin hyrë në fuqi, duhet që të kishin përcaktuar rregullat strikte për funksionimin minimal të aeroporteve, edhe në kushtet e këqija atmosferike, apo në ndonjë emergjencë apo në raste të tjera krize. Sipas tij aeroportet duhet që të planifikojnë në mënyrë shumë serioze të gjitha situatat, edhe ato të kohës së keqe, edhe ato të tilla si çështja e hirit që shkaktoi këtë verë një çrregullim jashtëzakonisht të madh të fluturimeve me humbje të mëdha për kompanitë ajrore.
Treni i Eurostar-it që lidh Britaninë, Francën dhe Belgjikën i ka këshilluar pasagjerët që të anulojnë udhëtimet gjatë ditëve në vijim dhe për këtë, ata do të marrin një dëmshpërblim të plotë të biletave të paguara. Vetëm për udhëtimet jashtëzakonisht të domosdoshme, do të ketë në dispozicion një tren të vetëm. Edhe gjatë ditëve të fundit, trenat kanë udhëtuar me një shpejtësi të kufizuar nëpër rrugët e ngrira, për të shmangur çdo aksident që mund të ndodhë në këto kushte të rënda.
Edhe aeroporti i Frankfurtit, për shkak të situatës së rëndë të motit dhe reshjeve të fundit të borës, nuk ka pasur fluturime dje dhe nuk ka njoftuar se kur do të fillojnë sërish.