E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku i Fierit kerkese qeverise Hiqi licencen CEZ-it

Fier

Anëtarët e Këshillit të Qarkut Fier kërkojnë heqjen e licencës së operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ. Ata janë ankuar për cilësinë e shërbimit dhe për këtë qëllim do t’i nisin një relacion Kryeministrit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, ku do t’u komunikojnë kërkesën e tyre për heqjen e licencës ndaj CEZ-it. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Qarkut të organizuar paraditen e djeshme.

Ka qenë fillimisht kryetari i Komunës Kolonjë në rrethin e Lushnjës, Jakup Beqiri, ai që ka kërkuar fjalën dhe është ankuar për CEZ-in. Beqiri është shprehur se në zonën që ai administron, prej dy muajsh furnizimi me energji elektrike bëhet me orare të kufizuara, ndërkohë që janë shtuar ndjeshëm abuzimet e elektricistëve, faturistëve dhe ato të sektorit të shpërndarjes. “Komuniteti i zonës që drejtoj dhe përfaqësoj po vuan çdo ditë mungesën e energjisë elektrike, që prej dy muajsh. Ajo ikën dhe harron të vijë. Përditë në komunë me qindra banorë ankohen dhe kërkojnë ndërhyrjen time si përfaqësues i pushtetit vendor. Javën e fundit, energjia ka ikur pothuajse ditë e natë. Ndaj kërkoj ndërhyrjen e institucionit tonë, jo thjesht me prezantimin e shqetësimit, por me një peticioni konkret për marrjen e masave”, ka thënë Jakup Beqiri.

Ndërsa ka renditur abuzimet konkrete të regjistruara nga CEZ-i në fshatrat e Kolonjës së Lushnjës, pas tij kanë ngritur shqetësimin edhe përfaqësuesit e tjerë vendorë, të cilët kanë rritur dozën e ankesave. Agim Rredhi, kryetari i Komunës Tërbuf, në rrethin e Lushnjës, ka kërkuar reagim të shpejtë të institucioneve përgjegjëse. “Situata e furnizimit me energji elektrike është shumë më e keqe se në vitin 2000. Çdo ditë po bëhemi viktima të faturimeve të mbifryra, ndërsa nuk arrijmë të marrim as tri orë energji elektrike gjatë 24 orëve”, tha Agim Rredhi.

Kryetari i Komunës Mbrostar ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar që një peticion të niset nga institucioni i Këshillit të Qarkut të Fierit drejt qeverisë dhe Ministrisë së Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës. “Duhet që ministria përkatëse dhe Kryeministri të vendosin për heqjen e licencës së kompanisë CEZ. Nuk ka zgjidhje tjetër, pasi na vjen turp kur përballemi edhe me raste flagrante të abuzimeve nga ana e kësaj kompanie. Burimet energjetike i kemi të mëdha, por nuk marrim energji”, ka thënë Vait Baçja, kryetari i Komunës Mbrostar.

Gjatë mbledhjes është arritur marrëveshje me të gjithë anëtarët e këshillit, që përbëhet nga 47 të tillë, të cilët kanë vendosur firmosjen e relacionit. E si për ironi të fatit, ndërsa merrej ky vendim, i gjithë Qarku i Fierit nuk kishte energji elektrike. Furnizimi ishte shkëputur që nga ora 07.30 e mëngjesit. Kujtojmë se ka qenë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Fier ajo që ka kërkuar e para liberalizimin e tregut energjetik, pasi nuk sigurohej furnizimi normal dhe abuzohej me faturimet dhe marrëdhëniet e tjera mes kompanisë CEZ dhe konsumatorëve të energjisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›