E Diel, 1 Nëntor 2026

Izet Duraku Koleksionistet ende fshehin pasurite kulturore

Është festuar dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 15-vjetori i krijimit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, institucionit përgjegjës për krijimin e regjistrit kombëtar dhe katalogimit të trashëgimisë kulturore. Ndërsa është vënë theksi tek arritjet, Izet Duraku, drejtues i këtij institucioni tregon se cilat janë problematikat dhe çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim

Kanë kaluar plot 15 vjet nga krijimi Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Me këtë rast dje në Ministrinë e Kulturës është organizuar një veprimtari ku siç ndodh rëndom, flitet vetëm për arritjet e këtyre viteve. Po çfarë ka bërë konkretisht ky institucion përgjegjës për krijimin e regjistrit kombëtar dhe katalogimin shkencor të trashëgimisë kulturore? Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, tha dje se pas 15 vjetësh nga krijimi i saj, konstatojmë se kjo qendër është shndërruar në një faktor serioz për t’u njohur me gjendjen reale të vlerave kulturore, për ruajtjen, restaurimin dhe miradministrimin e tyre. Ndërsa Izet Duraku, drejtues i këtij institucioni thotë se gjatë këtyre viteve në databazën- regjistër kombëtar të kësaj qendre janë kataloguar me të gjitha të dhënat shkencore mbi 72 mijë objekte të trashëgimisë kulturore që përfshijnë pasuritë e rrjetit muzeor të vendit, të galerive të artit, të parqeve arkeologjike, monumente të kulturës etj. E me gjithë entuziazmin e tij se për një vend të vogël si i yni, edhe kaq objekte të regjistruara janë shumë, sërish mbetet fakti se privatët, thuajse nuk i regjistrojnë pasuritë që zotërojnë, por më keq akoma, janë vetë institucionet shtetërore që i bëjnë bisht katalogimit...

Në këto 15 vite të krijimit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, sigurisht që ka edhe problematika. Cilat janë ato?

Ne ende jemi në fillimet tona për sa i përket regjistrimit dhe katalogimit të pasurive private, siç janë ato të koleksionistëve për shembull apo të personave e individëve të veçantë, sepse ata janë ende të paarritshëm. Ne ende nuk kemi mbërritur tek ata për të regjistruar këto pasuri. Natyrisht, ne nuk mund të dalim derë më derë për të bërë këtë lloj regjistrimi, sepse nuk i kemi këto mundësi. Por shpresojmë që përmes medias mund të bëjmë thirrje për të ndryshuar diçka. Katalogimi i objekteve, ka të bëjë me regjistrimin e tyre. Ai është pa asnjë lloj kostoje dhe i shërben sidomos ruajtjes së tyre.

A është bërë puna e duhur për sensibilizimin e atyre që zotërojnë një pasuri për ta regjistruar atë?

Sa herë që na është dhënë rasti ne kemi ngulmuar dhe vënë theksin në rëndësinë e regjistrimit të pasurisë kulturore. Por institucioni ynë ende nuk ka mjetet e duhura për një fushatë serioze sensibilizuese, edhe pse ka vërtet nevojë për një të tillë.

Ekziston ndonjë shifër e saktë se çfarë pasurie kanë koleksionistët dhe çfarë mbetet ende jashtë regjistrimit?

Koleksionistët që njohim ne, rreth 50 të tillë i kanë regjistruar koleksionet e tyre. Ata janë shumë seriozë dhe e dinë mirë vlerën e regjistrimit, sepse ajo i shërben në radhë të parë ruajtjes së tyre. Në rastet kur vepra humbet, kërkohet edhe në bashkëpunim me Interpolin. Ne ende nuk e kemi një polici që të merret posaçërisht me trafikimin veprave të artit siç e ka Italia p.sh, por kemi sektorë të antitrafikut në Ministrinë e Brendshme, si dhe në Shërbimin Informativ të Shtetit.

A keni kërkuar që të kemi edhe ne një të tillë?

Ndoshta ne nuk i kemi mundësitë për krijimin e kësaj policie, qoftë edhe për arsyen se veprat tona të artit në numër nuk janë aq sa mund të ketë një vend fqinj si Italia. Por natyrisht që janë krijuar struktura më të vogla dhe gjithçka po shkon në rritje.

Ju thatë që problem mbeten koleksionet private, por edhe regjistrimi i pasurive të institucioneve shtetërore ka qenë gjithashtu një problem. A janë regjistruar pasuritë e tyre?

Ka filluar tani me disa institucione siç janë qendra e studimeve albanologjike. Por edhe në këtë rast është regjistruar një pjesë shumë e vogël e rreth 80 mijë objekteve që zotëron ky institucion.

Ndërkaq, sa është lista e objekteve të regjistruara në total dhe sa mendoni se mund të jenë lënë jashtë kësaj liste?

Ne kemi regjistruar rreth 72 mijë objekte. Kjo mund të jetë një shifër e kënaqshme për kushtet e vendit tonë, sidomos në rast se këto vërtet janë vlera të trashëgimisë kulturore, se mund të mbartin edhe vetëm vlera lokale. Megjithatë, mbetet një shifër e konsiderueshme.

Nga objektet e regjistruara sa janë të trafikuara?

Në katalogun e humbjeve në vitin 2001, kemi 2196 objekte të humbura që janë të raportuara nga vetë institucionet. Është e sigurt që objekte të humbura janë më shumë akoma. Ndërkaq, bashkë me objektin është zhdukur edhe dokumentacioni duke humbur plotësisht gjurmët e tij.

Duke qenë se u përmend dokumentacioni, në pasaportën e një objekti vazhdojnë të shkruhen të dhëna të thjeshta apo ajo është pasuruar edhe me historikun e tij?

Mund të them se po punohet për plotësimin me të dhëna më të shumta identifikuese të objekteve të regjistruara, si dhe me të dhëna shkencore të tyre. Natyrisht që një pjesë e objekteve nuk kanë ndonjë histori të madhe për të shënuar, të tilla janë objektet etnografike ashtu sikundër ka nga ato që konsiderohen vlerat të vërteta të pasurisë kulturore kombëtare të cilat janë pajisur me bibliografi të plotë shkencore.

Shpesh është ngritur problemi se vlerat financiare të objekteve vazhdojnë të jenë njësoj si në diktaturë. Kur do të ndryshojë kjo?

Tashmë ky problem bën pjesë në axhendën e komitetit kombëtar të muzeve. Në mbledhjen e radhës do të diskutohet pikërisht ky problem. Me këtë rast, shpresojmë që të ketë një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave që të sanksionojë detyrimin që këto objekte përmes komisioneve të veçanta të marrin vlerën reale. Kjo do të bënte që zotëruesit e një objekti me vlerë të ndërgjegjësohen për regjistrimin e tyre e në këtë mënyrë edhe për ruajtjen. Në të njëjtën kohë do të rritet edhe kujdesi dhe vëmendja ndaj objekteve në fjalë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›