E Diel, 1 Nëntor 2026

Europianët vendosin të vetëm taksat mbi bankat

Ekonomi

Në një deklaratë kyçe, tre vende të fuqishme europiane kanë deklaruar se janë zotuar për zbatimin e plotë të axhendës së reformës financiare të propozuar nga G20, por ndërkohë analistët kanë bërë të ditur se këto vende kanë pak shpresë se shembulli i tyre do të ndiqet edhe nga vende të tjera të botës. Kryesisht bëhet fjalë për një taksë të propozuar për t’ua vënë bankave. Ministrat e Financave të G20-s e hodhën poshtë një ide të tillë, për shkak të kundërshtimit të japonezëve dhe kanadezëve. Por liderët e Bashkimit Europian, nën presion për të justifikuar masat e reduktimit të buxheteve para votuesve të tyre, kanë rinovuar sërish këtë javë thirrje për taksën e bankës. Qeveria britanike e qendrës së djathtë e ka bërë fakt një masë të tillë në paketën e shkurtimeve që ka paraqitur dje në Parlament. Masa të rrepta janë marrë edhe në Japoni, ku ministri i Financave ka deklaruar se shembull i Greqisë, që rrezikoi me deficitin e vet buxhetor gjithë Eurozonën, duhet të bëhet një shembull për të mos e lënë situatën të shkojë në ekstrem, sepse tani, sipas tij, tregjet financiare janë bërë shumë të ndjeshëm ndaj deficiteve buxhetore. Për sa i përket Gjermanisë, ajo bëri të ditur se do të vendoste një taksë te bankat e saj në verë, ndërsa Franca bëri të ditur se do të prezantonte detaje të taksës bankare në buxhetin e vitit të ardhshëm, që do të shkojë në Parlament në vjeshtë. Kanadaja, që është edhe vendi ku do të organizohet takimi i G20-s, duket se e ka zbutur qëndrimin e saj ndaj taksës së bankave, duke qenë se ministri i Financave tha se ishte në pritje të veprimeve që do të ndërmarrin edhe shtetet e tjera në këtë drejtim. Për sa i përket Gjermanisë, ajo u shpreh e kënaqur që liderët e G20-s nuk po kërkonin më masa stimuluese për ekonominë, si ato që u morën menjëherë pas plasjes së krizës financiare dhe se kjo tregonte që politika e përballimit të krizës që u ndoq nga Gjermania ishte me vlerë, pavarësisht se në kundërshtim me mënyrën e amerikanëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›