E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët e ARMOS-s marrin Albpetrolin

Ministria e Ekonomisë firmos kontratën me konsulentin e huaj për privatizimin

Pas një odiseje të gjatë, Ministria e Ekonomisë zgjedh të firmosë kontratën për konsulentin e huaj që do të mundësojë privatizimin e të vetmes shoqëri të naftës në vend. Do të jenë amerikanët e “Patton Boggs”, konsulentët e qeverisë për privatizimin e “Albpetrol”, proces që duhet të mbyllet brenda këtij viti. Konsulenti i huaj ka marrë pjesë edhe në privatizimin e ARMO-s, dy vjet më parë, ku pati dhe shumë akuza nga opozita rreth sistemit të vlerësimit. Zyrtarizimi i marrëveshjes u bë dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, fill pas kontratës të firmosur me “Pattom Boggs”. Për këtë shërbim, kompania do të përfitojë 25 milionë lekë të reja, aq sa ishte çmimi limit në tender.

Ministri i Ekonomisë, theksoi faktin se, në kontratë përcaktohet një afat prej gjashtë muajsh, gjatë të cilit kompania “Patton Boggs” duhet të përfundojë procesin e vlerësimit të kompanisë “Albpetrol” dhe marrjen e vendimit për mënyrën e privatizimit. “Kompania konsulente ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës”, tha ministri, duke shtuar se, kompania amerikane ka eksperiencë të mjaftueshme në sektorin hidrokarbur, pasi ka kryer konsulentin ndërkombëtar edhe për privatizimin e ARMO.

Deklarata

“Sot, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka firmosur kontratën me konsulentin ndërkombëtar për privatizimin e “Albpetrol”, kontratë e cila është firmosur me kompaninë “Patton Boggs”, kompani studio amerikane, e cila e njeh Shqipërinë dhe ka qenë konsulent ndërkombëtar edhe për privatizimin e kompanisë ARMO”, tha Prifti, duke mos i harruar vlerësimet për konsulentin, që sipas tij, “ka eksperiencë të mjaftueshme për sektorin hidrokarbur, pra të naftës dhe të gazit”.

Kontrata parashikon shumë detyrime, por ka një afat, një periudhë gjashtëmujore, kur duhet të përfundojë i gjithë procesi i vlerësimit të kompanisë, marrja e vendimit për mënyrën e privatizimit, cilat asete do të privatizohen dhe në çfarë mënyre do të privatizohen, marketing për privatizimin. Pra, kompania do të ketë edhe përgjegjësinë për të ftuar kompani nga e gjithë bota për të marrë pjesë në privatizimin e “Albpetrol”.

Privatizimin ose koncesionin

Ministria nuk e ka vendosur ende nëse “Albpetrol” do të dalë në shitje për fare, pra do të privatizohet apo do të jepet me koncesion. “Për gjashtë muaj duhet të përfundojë puna dhe kompania duhet të dalë në një tender ndërkombëtar për shitje, për privatizim apo për ndonjë formë tjetër koncensionare”, tha ministri i Ekonomisë. Rezultatet e fundit të kompanisë së naftës kanë qenë pozitive, duke mundur të shlyejë borxhet dhe detyrimet ndaj shtetit, por nga ana tjetër vijojnë ende problemet me pagat e punonjësve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›