Lexohet në Kosovë letra e lamtumirës
“Njeriu këndon pas luftës, unë kam shkelur në gjak deri në gju, dhe ëndrra më nuk kam, votra më është shitur dhe nënës ia kam thinjur flokët...”, janë këto disa nga thëniet e lëna si testament nga Bekim Fehmiu, shkruar në letrën e lamtumirës, e cila u lexua ditën e hënë në Prishtinë nga i biri, Uliksi. Komuniteti i artistëve të Kosovës organizoi një akademi përkujtimore në Prishtinë, në prani të shumë miqve, kolegëve, aktorëve, politikanëve, gazetarëve dhe familjarëve, ku është kujtuar vepra e aktorit të madh nga Kosova, Bekim Fehmiu. Bashkëshortja Branka Fehmiu, e cila shumë e emocionuar doli në skenë e shoqëruar nga djali Uliksi, për t’i përshëndetur dhe falënderuar së pari organizatorët e kësaj akademie, e më pas edhe të pranishmit, tha se i vjen keq që nuk e ka mësuar shqipen, edhe pse ka jetuar gjatë me Bekimin.
#