Europiani, peshëngritja tjetër dështim

Peshëngritja shqiptare dështon përsëri në Kampionatin Europian të Jerevanit në Armeni. Edhe në peshën 81 kilogram, kjo në Baterinë A, Daniel Godelli nuk la asnjë gjurmë. Në stilin e shkëputjes dështoi në tre tentativa, teksa nuk ngriti 150 kilogram, 151 kilogram dhe 152 kilogram. Dhe më pas nuk garoi në shtytje duke mos u klasifikuar në dygarësh.
Një garë më e mirë për Kristi Ramadanin, që mori pjesë në Baterinë B. Në stilin e shkëputjes me 138 kilogram në provën e dytë dhe 142 kilogram në provën e tretë u rendit fillimisht i dyti dhe në klasifikimin e përgjithshëm i nënti. Në shtytje realizon tre prova me sukses 168 kilogram, 173 kilogram dhe 175 kilogram. I pari në Baterinë B dhe i teti në renditjen e përgjithshme, pozicion të cilin e ruajti dhe në dygarësh me 317 kilogram.
E enjtja është për Krenar Shorajn në peshën 89 kilogram, por ky mund të cilësohet përfundimisht Europiani më i dobët i peshëngritjes shqiptare në vitet e fundit, sepse asnjëherë nuk kishte ndodhur të mos merrej medalje.