Euroskepticizmi/ Serbia dhe Maqedonia: Integrimi me rëndësi për ne, jo për shtetet e BE-së

Në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor po fryn një erë skepticizmi, që i ka pështjelluar qytetarët teksa flitet për integrimin europian të rajonit.
Kështu u shprehën të hënën kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic (Bërnabiq), dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.
Dy shefat e qeverive ishin të pranishëm në panelin e Forumit Strategjik të Bledit që u mbajt në Slloveni.
“Ka një euroskepticizëm të madh në Serbi, sepse kemi pritur më shumë se 20 vjet. Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e vet dhe e ka ende të vështirë të marrë një datë për negociatat. Nga 2012, edhe për ne kanë kaluar 10 vite.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor do të thotë shumë për ne, por jo për shtetet anëtare të BE-së. Njerëzit lodhen dhe unë mendoj se jo vetëm Serbia. Nuk kemi plan B, sepse jemi europianë. Ne jemi të rrethuar me Bashkimin Europian,” u shpreh kryeministrja Bërnabiq.
Mendimin e saj e plotësoi homologu maqedonas, Kovacevski.
“80 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë për hyrjen në Bashkimin Europian, por edhe 80 për qind e qytetarëve janë kundër bllokadave që vijnë nga vendet anëtare për politikat e brendshme. BE duhet ta vërtetojë qëndrimin e vet për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor, sepse kjo ka të bëjë edhe me NATO-n,” deklaroi kryeministri Kovacevski.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic (Abazoviq), tha se vendet europiane janë vende eurooptimiste dhe shteti i tij do të ndihmojë fqinjët në avancimin drejt BE-së.
“Ne e dimë saktësisht se çfarë duam: të jemi pjesë e BE-së. E duam zgjerimin e BE-së, që mendoj se është një rrugë me dy kalime (në interes të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së), dhe mendoj se duhet parë në këtë mënyrë,” u shpreh Abazoviq.
/rtsh.al/