E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurostat: Shqipëria kryeson rajonin, fluturimet komerciale rriten 22% në gusht

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Fluturimet komerciale në Shqipëri u rritën me 22% në gusht 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një nga rritjet më të larta në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Rritja e aktivitetit ajror në Shqipëri ishte ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila rezultoi 2,3% në gusht.

Në rajon, Shqipëria kryesoi për ritmin e rritjes, e ndjekur nga Mali i Zi me 16,1% dhe Maqedonia e Veriut me 15,8%. Serbia regjistroi rritje prej 3,1%, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina shënoi një rënie të lehtë prej 0,2%.

Në nivel europian, Sllovakia regjistroi rritjen më të lartë me 37%, ndërsa rritje të dukshme u shënuan edhe në Estoni me 8,3%, Poloni 7,8%, Slloveni 7,4%, Lituani 6,8% dhe Italia një rritje me 5,7%.

Në disa prej tregjeve europiane numri i fluturimeve ra gjatë gushtit. Rënia më e madhe u regjistrua në Islandë me 5,9%, pasuar nga Austria me 4,7%, Qiproja me 3%, Gjermania me 2,4% dhe Holanda me 2%.

Rritja e fluturimeve në Shqipëri u regjistrua gjatë pikut të sezonit turistik veror, periudhë që karakterizohet nga rritje e lëvizjeve të turistëve dhe udhëtarëve ajrorë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›