E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta ndaj vendimit në Hagë, Ambasada amerikane bën thirrje të shmanget sheshi “Skënderbeu”

PRISHTINË, 18 shtator//ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje që të shmanget sheshi “Skënderbeu” dhe zonat përreth tij në Prishtinë, për shkak të protestës së paralajmëruar për sot.

Protesta e thirrur për të kundërshtuar dënimin e katërshes së UÇK-së në Hagë, pritet të nisë në orën 12:00, ndërsa Ambasada ka paralajmëruar për grumbullime të mëdha të qytetarëve, mbyllje të mundshme të rrugëve dhe pengesa në trafik.

“Disa organizata të mëdha kanë njoftuar protesta të mëdha për të premten, më 18 shtator, në orën 12:00, në Sheshin Skënderbeu. Këto protesta mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda të trafikut në zonat përreth”, thuhet në paralajmërimin e Ambasadës në rrjetet sociale.

Ambasada amerikane ka kërkuar që gjatë kësaj periudhe të shmanget zona ku do të mbahet protesta.

“Për shkak të grumbullimeve të mundshme masive dhe problemeve në trafik, ju lutemi ta shmangni sheshin “Skënderbeu” dhe zonat përreth gjatë kësaj periudhe”, thuhet më tej.Po ashtu, është bërë thirrje për kujdes gjatë protestës dhe për vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve në zonat përreth.

Ky nuk është paralajmërimi i parë i Ambasadës amerikane lidhur me tubimet e paralajmëruara në Prishtinë.

Më 14 shtator, Ambasada u kishte bërë thirrje pjesëtarëve të stafit të saj që, për shkak të protestave, të mos i dërgonin fëmijët në shkolla dhe të shmangnin zonat ku priteshin tubime.

Protesta e sotme në Prishtinë është paralajmëruar të nisë në mesditë në sheshet e kryeqytetit, ndërsa Policia dhe OVL-UÇK kanë apeluar që të mos ketë maska e as mjete të forta. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›