Sulmuan me thikë kamerierin, dosja në gjyq
Prokuroria mbyll hetimin për të dyshuarit e akuzuar për plagosje të rëndë me dashje në bashkëpunim
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të tre të rinjve që mbrëmjen e 9 shtatorit 2009 qëlluan me thikë kamerierin e një lokali në rrugën "Murat Toptani". Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kancelaria e kësaj të fundit me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona për gjykimin e çështjes. Sipas dosjes me nr.1242 që tashmë është regjistruar pranë togave të zeza të pandehurit: Aleksandër Toma, Besmir Alia dhe Hoseantonjo Çuni akuzohen se kanë kryer veprat penale të "Plagosjes së rëndë me dashje"; "Plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike" dhe "Moskallëzim krimi". Këto akuza, sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit i kanë konsumuar mbrëmjen e datës 9 shtator 2009 në lokalin që ndodhet në rrugën "Murat Toptani". Gjithçka mes tyre ka filluar pas thyerjes së disa orendive të lokalit nga të pandehurve, ku kamerieri i lokalit ka kërkuar të dalin jashtë, në debat e sipër mes tyre i pandehuri 22 vjeçar Aleksandër Toma e ka qëlluar me thikë kamerierin e lokalit me inicialet E.H. 20 vjeç duke i shkaktuar tre plagë barkë që fatmirësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale ka mundur të shpëtoi nga rreziku për jetën. Sipas dosjes, i vetmi i pandehur që ka mundur t'i shpëtoi arrestimit është shtetasi Hoseantonjo Çuni ndërsa dy të tjerët Aleksandër Toma dhe Besmir Alia janë arrestuar nga policia dhe ndodhen të izoluar me masën e sigurisë "arrest me burg".