E Diel, 1 Nëntor 2026

Euroviozion; Kejsi do Flakën për “back vokal”



Dje në Moskë është hedhur shorti për konkurrentët e Eurovizionit që do të këndojnë në netët e festivalit evropian. Shqipëria do të konkurrojë në natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovizionit. Më 14 maj në Moskë, tashmë dihet se vendi ynë i ndjekur edhe nga shtete të tjera, do të prezantohet me 16-vjeçaren Kejsi Tola, me këngën “Më merr në ëndërr” të kompozuar nga Edmond Zhulali me tekst të Agim Doçit. Por, shija e performancës që ka lënë nga festivali shoqëruesja e Kejsi Tolës, këngëtarja nga Kosova, Flaka Krelani, e ka çuar në pyetjen nëse në Eurovizion mund të jenë të dyja. Këtë javë, në një intervistë për mediat kosovare, Flaka është shprehur plot shpresë se mund të marrë pjesë në Eurovizion së bashku me Kejsin.

Pjesëmarrja në ‘Eurosong 2009’, për këngëtaren plot energji nga Kosova është ende një ëndërr. “Unë falënderoj të gjithë për përkrahjen dhe besoj se gjithçka që ndodhë do të jetë në të mirë edhe të vendit tonë dhe pa dyshim edhe të karrierës sime”, - ka thënë Flaka.

Por këtej nga Tirana asnjë pohim i tillë nuk është bërë. Sipas gjasave, Kejsi do të thotë “jo”. Kjo, jo nga dëshira e saj, por dje, kompozitori Edmond Zhulali ka pohuar se rregullat e festivalit të Eurovizionit nuk e lejojnë pjesëmarrjen e Flakës.

Vetëm fituesi zyrtar duhet të marrë pjesë dhe është ky emër që ka shkuar në festival. Ndonëse kompozitori e pranon, ashtu sikurse janë shprehur edhe specialistë të muzikës, se Krelani këngës së Kejsi Tolës i dha potencë dhe energji. Pavarësisht se Kejsi shquhet për korrektësinë e të kënduarit, zërin e saj, Zhulali thotë se hyjnë këtë vit në Eurovizion me kartën e moshës së këngëtares, duke shpresuar të tërheqë vëmendjen mosha e saj 16-vjeçare.

Por ZHulali nuk mohon faktin e suksesit që pati kënga në skenën e Festivalit të RTSH-së, kur u këndua me shoqërimin e Flakës. Kompozitori këtu arrin të na zbulojë një nga sekretet e asaj dite, që mendojnë se ka mbajtur shpresën e Krelanit se mund të thirret nga organizatorët e Tiranës për të shoqëruar Kejsin.

Kjo ka të bëjë me propozimin sekret që i është bërë këngëtares kosovare për të qenë në “back vokal”, pra në kompleksin e zërave shoqërues në refren të këngës, Kejsit. Ky propozim, na pohon Zhulali, është bërë para se kënga të ishte fituese e festivalit, duke pasur një lloj parandjenje në fitoren e saj.

Por mësohet se Flaka nuk ka pranuar këtë pozicion, duke pretenduar të këndojë duet me Kejsin. Deri në ditën e djeshme, kompozitori Zhulali ka vazhduar të mendojë për Krelanin në pozicionin “back vokal”, por vetëm me një kusht: nëse bie në kompromis Flaka. Për zërat se ajo mund të jetë bashkë me Kejsin pjesëmarrëse në Eurovizion, Flaka është përgjigjur: “Edhe unë i kam dëgjuar këta zëra, mirëpo ende nuk ka asgjë definitive. Sapo të konkretizohet gjithçka, unë me kënaqësi do t’ju bëj të ditur çdo detaj lidhur me pjesëmarrjen në “Eurosong”.

Flaka Krelani, tashmë këngëtare mjaft e suksesshme, ka pasur disa pjesëmarrje nëpër festivale dhe në shumicën prej tyre ka rrëmbyer çmime. Flaka është shprehur se me shumë kënaqësi do të pranojë ftesën, por vetëm nëse do të ishte në duet me Kejsin.

Krelani e ka quajtur në një intervistë të kohëve të fundit si suksesin më të madh të karrierës së saj pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës në RTSH, ku ajo ishte e ftuar si përshëndetëse, duke kënduar duet me Kejsi Tolën. Ka qenë ogur kjo këngëtare për Kejsin, duke i dhënë potencën e zërit të saj.

Gjithsesi, oferta për të qenë në kompleksin e zërave shoqërues të Kejsit mbetet e hapur për Flakën, edhe pse nuk është marrë një përgjigje përfundimtare prej saj.

Ndërkohë, dje është zbuluar se kënga do të orkestrohet nga një studio gjermane, mjaft e njohur, por pa përmendur emër nga ana e kompozitorit.

Nga gjithë struktura e këngës që do të prezantohet në Eurovizion ajo çka është thënë e sigurt deri tani ka të bëjë me shkurtimin e saj. Në versionin origjinal është katër minuta e gjatë, ndërsa rregullat e festivalit evropian nuk e lejojnë këngën më të gjatë se tri minuta dhe gjashtë vetë kanë të drejtë të performojnë në skenë bashkë me këngëtarin. “Dua të bëj të ditur se kënga do të shoqërohet edhe me performancë skenike sipas kërkesave, ndërsa orkestracioni do të përgatitet edhe një herë nga e para, por gjithnjë duke ruajtur origjinalitetin dhe çdo element të veçantë, siç janë motivet popullore në brendësi të saj. Po ashtu, kënga do të përkthehet edhe në gjuhën angleze, pasi unë jam fanatik i këtij mendimit duke qenë se ne jemi një popull i vogël në numër dhe kemi nevojë për një audicion shumë më të madh. Në këtë gjuhë shumë njerëz të kombeve të tjera do të jenë në gjendje ta kuptojnë dhe ta perceptojnë jo vetëm nga ana muzikore”, - është shprehur Zhulali menjëherë pas trofeut në RTSH.

Të hënën pritet të zbardhen më shumë detaje mbi organizimin e këngës në Eurovizion.

Eurovizioni, pa shtet debutues për këtë vit

Që prej 2002-shit, çdo vit hynin në konkurrim një a më shumë shtete. Pak kohë më parë është shpallur edhe lista e shteteve që do të marrin pjesë në festivalin evropian të 2009-ës që do të mbahet në Moskë. Në këtë konkurrim, Shqipëria do të përfaqësohet me këngëtaren e re, një produkt i "Etheve", Kejsi Tola.

Por ndërsa është bërë gati lista, në sitin zyrtar të Eurovizionit njoftohet se këtë vit nuk ka asnjë shtet që merr pjesë për herë të parë në këtë edicion. Është vetëm Sllovakia që rikthehet pas pjesëmarrjes së vitit 1998.

Ndërsa është njoftuar se Gjeorgjia dhe Letonia konkurrojnë si pjesë e Rusisë. Që prej 2002-shit, çdo vit në Eurovizion ka pasur nga një e më shumë shtete debutuese. Në vitin 2003 ka qenë Ukraina që i është bashkuar konkurrimit për herë të parë. Zunë vendin e 14-të me 30 pikë të marra.

Pjesëmarrja e Ukrainës u quajt si një nga më të suksesshmet. Në vitin 2004 ata fituan vendin e parë dhe këto dy vitet e fundit kanë zënë vendin e dytë. Në 2004-ën ishte Shqipëria, Andorra, Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi që provuan për herë të parë konkurrimin. Shqipëria u përfaqësua me Anjeza Shahinin dhe vazhdon edhe sot të jetë pjesëmarrëse në këtë festival. Pas vitit 1994 (shtatë shtete hynë në konkurrim: Estonia, Hungaria, Lituania, Polonia, Rumania, Rusia dhe Sllovakia) ky ishte viti më i madh i debutimeve. Në 2005-ën ishin Bullgaria dhe Moldavia që iu bashkuan konkurrimit.

Moldavia arriti që të bëhej pjesë e dhjetëshes finaliste. Armenia merr pjesë për herë të parë në Eurovizion në 2006-ën. Tradita vazhdoi në 2007-ën me konkurrimin e Gjeorgjisë dhe Republikës Çeke, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi konkurruan si dy shtete më vete.

Vitin e shkuar ishte Azerbajxhani dhe San Marinoja që morën pjesë për herë të parë në Eurovizion. Kjo vijueshmëri do të prishet këtë vit, ku në Eurovizion nuk do të ketë asnjë shtet debutues.

Shtetet në dy net

Natën e parë, më 12 maj

Bosnje-Hercegovina, Suedia, Izraeli, Belgjika, Andorra, Republika Çeke, Mali i Zi, Islanda, Gjeorgjia, Bullgaria, Portugalia, Zvicra, Maqedonia, Finlanda, Bjellorusia, Turqia, Rumania, Malta dhe Armenia.

Nata e dytë, 14 maj

Shqipëria, Sllovenia, Danimarka, Azerbajxhani, Holanda, Letonia, Hungaria, Serbia, Norvegjia, Ukraina, Greqia, Lituania, Polonia, Kroacia, Estonia, Moldavia,

Qiproja, Irlanda, Sllovakia

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›