Ministria e Financave: Privatizimi i INSIG-ut ishte transparent e i suksesshëm
Ministria e Financave ka reaguar ndaj deklaratave të PS-së lidhur me procesin e privatizimit të INSIG-ut. Zëdhënësja e Financave, Eva Simoni, tha dje se Ministria e Financave, ndryshe nga ç’pretendon Partia Socialiste, ka kryer një proces transparent dhe të suksesshëm të privatizimit të INSIG-ut, i cili iu shit për 41 milionë euro në total kompanisë amerikane të sigurimeve American Reserve Life Insurance. Ajo tha se i gjithë procesi është konsultuar nga BNP Paribas, një kompani lider në ofrimin e shërbimeve financiare në botë si dhe nga dy aksionerët e tjerë të kompanisë INSIG, BERZH-i dhe IFC-ja.
Në një tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitje kompania INSIG. Ndërkohë që për sa i përket transparencës së procesit, theksojmë se i gjithë procesi i privatizimit është shoqëruar me dalje publike të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Financave në median shqiptare dhe në agjenci të huaja të lajmeve ku është publikuar fakti se fillimisht kanë paraqitur interes për privatizimin e INSIG-ut 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë. Ndërsa u parakualifikuan 8 kompani të cilat janë: American Reserve Life Insurance, Croatia Osigurania, Sava Re, Grazer, Eurohold Insurance Group, Triglav, Fondaria Sai dhe Qatar Insurance Center. Ndërkohë që procesi vijonte, për shkak të krizës financiare botërore në fazën finale të tij rikonfirmoi ofertën e saj për blerjen e INSIG-ut vetëm kompania amerikane American Reserve Life Insurance, e cila ofroi 6.4 milionë euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG-ja ose 5.6 milionë euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. Procesi është cilësuar i suksesshëm jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga FMN-ja në deklaratën e fundit. Ndërkohë, Ministria e Financave i kërkon PS-së dhe zyrtarëve të saj që në mungesë të një axhende politike, të mos hedhin baltë mbi punën e saj me shpifje të pabazuara të cilat nuk i besojnë as vetë.