E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Durrësit; Si funksionoi skema e sigurimeve shëndetësore



Z. Myderrizi, cili ka qenë qëllimi kryesor i projektit pilot të financimit të spitalit të Durrësit nga ISKSH-ja?

Ky projekt kishte për qëllim të siguronte përmirësimin e shërbimit spitalor dhe rritjen cilësorë të tij. Kjo do të arrihet përmes riorganizimit dhe funksionimit të shërbimit spitalor sipas parametrave bashkëkohorë. Ndërkohë që ofrohet garantimi i shërbimit spitalor të qytetarëve të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore dhe rritja e autonomisë administrative në drejtim dhe funksionim të spitalit.

Kur ka filluar ky projekt dhe çfarë ndryshoi në drejtimin e spitalit?

Miratimi i këtij projekti u bë me VKM Nr. 560 datë 23.10.2000, ku Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të financonte të gjitha shpenzimet e spitalit Durrës, me përjashtim te investimeve të cilat do te financoheshin nga Ministria e Shëndetësisë. Në statut, Spitali Rajonal Durrës përcaktohet si organ publik jobuxhetor, i cili drejtohet nga organi më i lartë i tij që është bordi, me përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe organizata të tjera shoqërore.

Përse u fillua vetëm me një spital si ky i Durrësit?

Domosdoshmëria për të ndryshuar sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe frika e bërjes së një hapi të gabuar e detyroi MSH-në dhe ISKSH-në që të ndërmerrte paraprakisht këtë projekt para se ta implementonte në të gjithë vendin.

Cilat janë arritjet e këtij projekti pilot?

Është realizuar dhënia e shërbimit shëndetësor për pacientët në cilësi më të lartë. Është siguruar financimi i gjithë veprimtarisë së spitalit nga ISKSH-ja duke siguruar ecurinë e projektit. Është krijuar një infrastrukturë e re dokumentacioni dhe të dhënash që përfshinë regjistrat e ndryshëm, kartelat mjekësore, pasqyra dhe evidenca mbi shërbimin dhe aktivitetin e klinikave. Është krijuar një bazë me sistem të dhënash dhe informacionesh për numrin e shtretërve, numrin e pacientëve të trajtuar, numrin e pacientëve të siguruar, numrin e të shtruarve në spital, numrin e operacioneve dhe llojin e tyre, llojet e ndryshme të analizave, numrin e pacientëve të trajtuar nga imazheria, numrin e lindjeve sipas llojeve përkatëse etj. Gjatë kësaj periudhe përfundoi ndërtimi dhe pajisja me aparatura i godinës së re të Kirurgjisë dhe administratës, sipas standardeve bashkëkohore. Janë në proces përfundimi i godinës së re të Maternitetit dhe Patologjisë me një kapacitet 170 shtretër. Janë hapur shërbime të reja si Mamografia. Kirurgjia funksionon me status klinike universitare me të tërë klinikat e saj (reanimacion, ortopedi, ORL e okulistikë si edhe maksilofaciali). Janë menaxhuar më mirë burimet njerëzore nëpërmjet hartimit dhe miratimit nga bordi i kritereve të punësimit në punë të punonjësve, duke favorizuar dhe ofruar personelin më të specializuar infermier me shkollë të lartë. Hartimin dhe miratimin e kritereve të emërimit në punë të personelit mjek, duke stimuluar punësimin e mjekëve me eksperiencë dhe grada shkencore, sikurse dhe ai i kritereve që duhet të plotësojë pozicioni i shefave të shërbimit dhe shefave të pavijoneve, duke favorizuar specialistët më të mirë e më përvojë dhe me grada shkencore. Një arritje tjetër e këtij projekti ka qenë pa diskutim autonomia në hartimin dhe miratimin e strukturës së re të pagave të personelit të spitalit. Për herë të parë, kjo strukturë është bazuar në studimin e bërë për dhënien e pagave sipas klasave dhe grupeve që përcakton VKM-ja, me synimin që në të ardhmen të bëhet diferencimi i pagave brenda grupit mbi bazën e performancës së çdo punonjësi. Pagat e punonjësve të spitalit Durrës të jenë më të larta sot në sistemin spitalor në Shqipëri, duke ndikuar direkt në rritjen e cilësisë së shërbimit.

Çfarë lehtësish ka pasur spitali juaj në përdorimin e buxhetit?

Mendoj se ka pasur mjaft lehtësira ku më kryesorja është buxheti i spitalit i cili nga ISKSH-ja ka qenë i mjaftueshëm për të siguruar shërbimin bazë dhe është alokuar gjithmonë në kohë. Ky buxhet është dhënë në total duke i dhënë mundësi vetë spitalit të bëjë ndarjen e tij sipas zërave. Spitali ka pasur pavarësi edhe në prokurimin e mallrave dhe medikamenteve. Kjo ka qenë dhe arsyeja që spitali i Durrësit nuk është goditur asnjëherë nga krizat e mungesës së barnave apo materialeve të mjekimit.

Gjithashtu, spitali i Durrësit ka pasur edhe mundësinë e përdorimit vet të të ardhurave dytësore. Përgatitja e udhëzimeve për mënyrën e mbledhjes dhe përdorimit të ardhurave dytësore në shërbimet dhe pavijonet e spitalit. Drejtimi i mirë dhe kontrolli bëri që të sigurohen të ardhura dytësore në vitin 2006, tri herë më të mëdha se të ardhurat e realizuara në vitin 2003. Përdorimin e të ardhurave dytësore në favor të fondeve të investimeve, në zërin “pajisje kompjuterike dhe aparatura”, pasi nevojat këtu janë më të mëdha.

Çfarë autonomie ka pasur kjo skemë në lidhje me hapjen e shërbimeve të reja?

Nëpërmjet kësaj skeme financimi ka qenë i mundur që nëpërmjet bordit të vendosej për mbylljen e shërbimeve jo efektive (Spitali i Shijakut dhe Rehabilitimi i Plepave) sikurse në hapjen edhe të shërbimeve të tjera: ortopedi, urologji, kardiologji.

Si e shihni ju këtë reformë?

Kjo është një reformë e gjatë dhe ky është pikërisht hapi i parë i këtij

ndryshimi, i cili nënkupton ndryshimin e mentalitetit në drejtim të administrimit dhe menaxhimit të spitaleve. Kjo reformë nuk mund të shkojë me tej pa një bashkërendim të punës të tre partnerëve: MSH-ja si politikëbërëse dhe investuese e infrastrukturës; spitalet rajonale si dhënës të shërbimeve shëndetësore dhe ISKSH-ja, si blerëse e shërbimeve. Në varësi të mënyrës të këtij bashkëpunimi do të varet edhe ecuria e kësaj reforme. MSH-së i del detyrë të plotësojë të gjitha normativat në aparatura dhe të vendosë standardet në të gjitha spitalet rajonale, sikurse të gjejë mundësinë edhe të kontrollit të performancës spitalore. Me sa jemi informuar, MSH-ja po punon intensivisht për të plotësuar këto kërkesa sikurse edhe nga ISKSH-ja po bëhet një punë e madhe për të lehtësuar implementimin e kësaj skeme. Unë them se kjo skemë do të jetë e suksesshme dhe ne shpejt do të marrim frutet e saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›