Eurovision Song Contest 2026, Alis me “Nân” renditet mes 10 performancave më të mira nga Associated Press

Finalja e Eurovision Song Contest 2026 solli në skenën e Wiener Stadthalle artistë nga 25 vende të ndryshme, në një garë spektakolare për trofeun e muzikës pop evropiane.
Mes performancave që tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare ishte edhe ajo e Shqipërisë, me këngëtarin Alis dhe këngën “Nân”, e cila u përfshi nga Associated Press në listën e 10 këngëve më të mira të finales.
Në përshkrimin e saj, Associated Press e cilësoi performancën shqiptare si “kinematografike”. Sipas medias amerikane, kënga hapet me një kor monumental që krijon atmosferë teatrale, ndërsa vokali i Alisit e shndërron interpretimin në një përjetim emocional të denjë për një superprodhim filmik.
Edhe skenografia mori vlerësime të veçanta. Në performancën finale, Alis u shfaq me një kostum që ngjante me një parzmore të mbuluar me xixa, përballë një ekrani gjigant, ndërsa një grua që simbolizonte figurën e nënës lëvizte rreth tij, duke i dhënë interpretimit një dimension emocional dhe artistik edhe më të thellë.
/rtsh.al/