E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria, hapësira dhe poezia në pikturën e Ali Osekut

SHKRUAN: Aida Tuci 13-05-2011 12:05

Ai është etiketuar si poet i pikturës dhe është një ndër piktorët bashkëkohorë më të spikatur në artet pamore. Por teksa thua këtë, të duket po aq i çuditshëm fakti se pikërisht ai Ali Oseku kurrë më parë në këta 20 vjet nuk ka çelur asnjë ekspozitë personale në atë që etiketohet si ‘tempulli’ i artit pamor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në fakt, nuk ka një arsye specifike për këtë as vetë piktori. Me sa duket koha, vendi dhe piktori u gjetën të kryqëzuara pikërisht atëherë kur duhej dhe ja tek vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e parë personale e piktorit Ali Oseku. Në këtë ekspozitë vetjake Oseku vinte me një numër punimesh në vaj, të realizuara gjatë viteve 2009 deri më 2011. Piktura e tij karakterizohej nga thjeshtësia në trajtim, përkorësia e skajshme e imazheve, dhe dashuria për ngjyrën si një element bazë piktorik. “Piktura e tij karakterizohet nga thjeshtësia në trajtim, përkorësia e skajshme e imazheve, dhe dashuria për ngjyrën si një element bazë piktorik. Të tria këto linja vihen në funksion të prodhimit të hapësirës (ose boshllëkut). Artisti duket se huazon mënyrën e pikturimit të Ekspresionizmit Abstrakt, për ta vënë në funksion të një vepre që njëkohësisht mund të lexohet edhe si jo-abstrakte. Hapësira apo prodhimi i saj është qëllimi i kësaj pikture, por kjo nuk është thjesht hapësira që ne shohim në punët e tij, ku krijimi pothuajse figurativ të kujton qiellin, detin, horizontin, por hapësira e pafundme që piktori përpiqet të prodhojë brenda kuadratit, duke e shpërbërë objektin e thjeshtë të pikturës së tij në mungesë të pikave të orientimit që na jep për ta lexuar atë. Është pikërisht mungesa e një perspektive të qartë, mungesa e peshës, mungesa e trupit,objektit fizik, është ndërtimi i reales nëpërmjet abstraktes apo shprehja e njëhershme e këtyre të dyjave që e bën pikturën e Ali Osekut një shprehje të pastër shpirtërore dhe filozofike. Horizontet që ne mund të shquajmë vagullt në këto piktura janë në fakt horizonte personale ku qenia e artistit takohet me pafundësinë dhe konceptin e saj” - kështu shkruhet në prezantimin e piktorit Ali Oseku. Por si e sheh Ali Oseku vetveten përmes atyre tablove që duket sikur kërkojnë hapësirën, lirinë përmes ngjyrave që vijnë e thellohen sa më në brendësi të shkosh.

Është paksa e çuditshme që piktori Ali Oseku vjen për herë të parë në një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ka qenë kjo një zgjedhje e juaja?

Në fakt, nuk ka ndonjë arsye konkrete. Kam ekspozuar në këta 20 vjet thuajse në të gjitha galeritë. Kam ekspozuar në grup me artistë të tjerë, por kam hapur dhe ekspozita personale në galeri të ndryshme edhe pse jo në Galerinë Kombëtare. Në fakt, në fillim ishte një propozim që m’u bë për të hapur ekspozitë sërish në grup, por që përfundoi në ekspozitë personale. Prandaj nuk di të them se ka një arsye konkrete. Ndoshta ngaqë tani është bërë Galeria Kombëtare më e bukur. Në fakt, duhet një shtysë për të hapur një ekspozitë personale, por si artist nuk kam paragjykime, unë thjesht pikturoj dhe kur vjen momenti veprat e mia që kam realizuar dua t’i ekspozoj. Kështu ka ndodhur dhe tani

Ekspozita juaj nuk ka titull. Zakonisht një vepër lihet pa titull kur artisti mendon se nuk ka një titull që ta përfaqësojë atë. Po me ju çfarë ka ndodhur?

Kjo ekspozitë është shumëçka. Në këto tablo është jeta ime, janë miqtë e mi, kolegët e mi, mosha ime, eksperiencat e mia dhe kjo është gjithçka që përfaqëson Ali Osekun e vërtetë. Unë gjithmonë ngulmoj ta sjell të vërtetë Ali Osekun. Ne si piktorë kemi fatin që gjithçka tonën ta hedhim në telajo.

Por a keni arritur ta sillni Ali Osekun ashtu siç është në të vërtetë?

Kjo mbetet ta gjykojnë kolegët e mi, prandaj unë jam me idenë që të flasin të tjerët dhe jo unë vetë. Por ajo që unë mund të them është se artisti gjithmonë e di se çfarë bën. Unë jam me idenë se rëndësi ka produkti, realizimi është diçka në ajër, është në qiell.

Po çfarë ju ka frymëzuar për të realizuar këto piktura, ku ngjyrat janë një copë qielli, deti, dielli, pak nga gjithçka ka në këto piktura?

Më ka frymëzuar ideja e lirisë, hapësirës, poezisë. Arti ka mister brenda, por më frymëzon dhe ideja e dashurisë. Piktori dashuron dhe pikturon. Artisti dashuron, por dikush e thotë me fjalë, dikush e thotë me tinguj, kurse unë e them me ngjyra me substancë, me shenja, me penel.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›