Eurozona, brenda 4 vjetëve, miliona të papunë

Vendet më të goditura nga papunësia janë Greqia, Spanja, Portugalia, Irlanda dhe Italia. Të gjitha qeveritë e këtyre vendeve kanë marrë masa drastike për shkurtimin e borxhit, shkurtime këto që kanë prekur sektorët jetikë në hapjen e vendeve të reja të punës.
Por përveç efekteve negative, shkurtimet dhe rritja e taksave, si ndaj biznesit ashtu edhe ndaj personave, kanë trembur edhe investitorët, të cilët ngurojnë të zgjerojnë aktivitetin e
tyre në vendet e prekura nga kriza, duke u hequr ekonomive përkatëse mijëra vende të reja pune.
Në fund të raportit, Organizata Ndërkombëtare e Punësimit thotë se qeveritë po ndjekin rrugën e gabuar për të dalë nga kriza dhe apelon për rritjen e investimeve dhe shpenzimeve publike nga qeveritë përkatëse, pasi vetëm kështu, sipas saj, do të luftohej papunësia e lartë, transmeton TCH.
Papunësia në eurozonë, që nga nisja e krizës financiare globale, ka prekur nivele rekorde, një situatë që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga të dhënat e qeverive, Spanja zë vendin e parë me rreth 21 për qind të papunë, në Greqi shifrat vërtiten rreth 20 përqindëshit, 15-20 për qind në Portugali, mbi 14 për qind në Irlandë dhe 9-11 për qind në Itali.