Eurozona, cila është e ardhmja e vendeve që kanë të njëjtën monedhë?
Për ku janë drejtuar vendet e Eurozonës? Sipas shumë analistëve, në kushtet aktuale në të cilat ndodhen vendet, ka vetëm dy përfundime të kësaj historie: ose ajo do t’i bëjë më shumë bashkë vendet, ose në të kundërtën, ato do të ndahen edhe më nga njëri-tjetri. Në të shkuarën, shumë kriza kanë sjellë një realitet më pozitiv nga ai i mëparshmi dhe kjo është një gjë pozitive dhe pikërisht një numër i madh qeverish të Eurozonës presin që një gjë e tillë të ndodh sërish. Por shumë kyç në këtë rast, pra në lidhje me mbarëvajtjen e gjërave, do të jetë roli i Gjermanisë për shkak të forcës së këtij vendi dhe ndikimit të madh që ka në ekonominë dhe eksportet e Eurozonës. Në Gjermani, nuk e pëlqejnë aspak idenë e shpëtimit të shteteve të tjerë që kanë performuar keq ekonomikisht me paratë e taksapaguesve dhe kësisoj, shpëtimi i Greqisë ishte një vendim që u mor pas një debati të madh brenda klasës politike gjermane dhe me pasoja për vetë Merkelin dhe koalicionin e saj qeveritar. Edhe pse Gjermania vendosi për shpëtimin e Greqisë dhe më në fund e argumentoi atë me faktin se nuk donte që të shkatërrohej shteti grek, shumëkush mendon se në fakt, arsyeja e vetme në këtë rast ishte se Gjermania ka përfituar shumë nga monedha e përbashkët europiane për sa i përket kryesisht eksporteve. Thuajse të gjitha kompanitë gjermane gjatë 10 viteve të fundit kanë shënuar rritje në eksporte kryesisht me vendet brenda Europës. Ndërkaq, përveç Gjermanisë, thuajse të gjitha ekonomitë më të mëdha të Europës kanë qenë pro planit të shpëtimit të Greqisë dhe të asistencës ndaj vendeve të tjera të Eurozonës, që mund të përballeshin me probleme të ngjashme. Pra me deficite të mëdha buxhetore. Mbështetësit e një BE-je më kompakte mendojnë se si gjithmonë, gjithçka ka të bëjë me ekonominë, e cila vjen e para dhe vetëm pas saj, vjen politika. Në këtë rast, nëse nuk do të bihet dakord mes vendeve për ekonominë, Bashkimi Europian do të vuajë më shumë. Ndërsa ata që janë për më shumë pavarësi mes shteteve të organizatës janë të mendimit se një krizë e tillë tregoi se në të vërtetë shtetet janë dhe duhet të jenë shumë më të pavarura nga njëra-tjetra dhe, mbi të gjitha, duhet që të mbajnë përgjegjësi personale dhe të ndëshkohen nëse gabojnë.
#