Tiranë, dy në garë për kreun e Prokurorisë
Fillon gara për kreun e ri të Prokurorisë së Tiranës, pasi ish-drejtuesi, Genti Xholi, është transferuar me dekret të Presidentit të Republikës si prokuror në apelin e kryeqytetit. Burime nga Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip” se kanë paraqitur dokumentet për kandidim vetëm dy prokurorë, të cilët janë Sokol Malaj, prokuror në Vlorë dhe i komanduar në postin e drejtuesit në Tiranë dhe prokurori Besnik Muçi, prokuror te Krimet e Rënda. “Pas transferimit të prokurorit Genti Xholi në Apelin e Tiranës, është hapur gara për kreun e ri të Prokurorisë së Tiranës. Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të ligjit ‘Për Prokurorinë’, ka autorizuar këshillin të hapë procedurën e kandidimit për të gjithë të interesuarit”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, konkurrimi do të bëhet sipas nenit 27/a të ligjit “Për Prokurorinë”, i cili përcakton kushtet dhe emërimin e drejtuesit. Ligji thotë se “drejtuesi i prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë... emërohet nga Prokurori i Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente”. Në këtë rast, kandidatët për drejtues, sipas niveleve të prokurorisë, duhet të plotësojnë disa kritere: të kenë punuar, si rregull, jo më pak se pesë vjet si prokurorë në prokurori të të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta; të jenë vlerësuar “Shumë mirë” dy herët e fundit; të mos kenë masë disiplinore në fuqi; të kenë aftësi organizuese dhe administruese. Nga verifikimi i materialeve që kanë paraqitur në këshill, të dy kandidatët i plotësojnë kushtet e vendosura nga ligji dhe tashmë duhet të bëjnë “fushatë zgjedhore” pranë anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët do të hapin një votim. Në këtë rast, kandidati më i votuar i propozohet kryeprokurores për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Por, sipas procedurave, nëse të dy kandidatët kanë marrë vota nga këshilli, emrat e tyre do t’i serviren Ina Ramës, e cila i propozon Presidentit të Republikës vetëm një nga emrat. është Presidenti i Republikës ai që vendos për drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës.
KandidatëtGara për kreun e Prokurorisë së Tiranës do të ndahet midis dy emrave që kanë paraqitur dokumentet për postin e drejtuesit. Drejtuesi aktual i komanduar në prokurorinë e kryeqytetit, Sokol Malaj, ka shfaqur interes të qëndrojë më shumë se katër muaj në këtë post, ndërsa “konkurrenti” i tij është prokurori Besnik Muçi, një ish-prokuror në Tiranë në sektorin e krimit ekonomiko-financiar, ndërsa tashmë prokuror te Krimet e Rënda në sektorin e “Antimafies”. Malaj, para komandimit të Tiranës, ka qenë në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, ku ka udhëhequr disa nga çështjet më të bujshme, atë ndaj ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, apo edhe disa çështje të tjera hetimore ndaj zyrtarëve vendorë, duke i akuzuar në bazë të provave për korrupsion. Ndërkohë, prokurori Muçi ka qenë për disa vjet drejtor i luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit dhe ka udhëhequr disa nga çështjet më të bujshme financiare ndaj zyrtarëve qendrorë. Të dy me një begraund të pasur dhe që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës për prokurorë “përballen” për një nga postet më të dëshiruara në sistemin e akuzës, ndërsa si Muçi dhe Malaj, një pjesë të formimit profesional e kanë marrë edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Prokurori Malaj ka udhëhequr disa nga dosjet më të bujshme pas vitit 2004, kur edhe u emërua, si hetimet ndaj bandave të Durrësit e individëve kriminalë të akuzuar për trafik armësh, droge e prostitucioni. Ndërkohë, prokurori Muçi përfaqëson akuzën në procesin gjyqësor ndaj kapobandës së Lushnjës, Aldo Bare, ndërsa aktualisht ka bërë disa kërkesa sekuestrimi dhe konfiskimi për individë kriminalë që janë prekur nga ligji i ri “Antimafie”.
#