E Diel, 1 Nëntor 2026

Djegia e fletëve të votimit sjell pasoja të paparashikuara

Intervistë me nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi Për zgjedhjet nevojiten ndryshime cilësore dhe jo më hapa gjysmakë

Negociatat e tanishme janë një stacion i rëndësishëm ku Partia Socialiste dhe komuniteti ndërkombëtar kanë investuar shumë energji, por edhe besim. Por të mbetura ende peng të qëndresës së Kryeministrit, ato, si të tilla, bartin me vete potencialin e riciklimit të krizës politike në ato përmasa që u dëshmuan gjatë pranverës që sapo shkoi. Lidhur me këtë, deputeti socialist, Eduard Shalsi, sqaron në intervistën për “Shqip” alternativën e selisë rozë, në rast të përshkallëzimit politik. Një koalicion që vepron në emër të zbardhjes së të vërtetës së 28 qershorit është ende aktiv dhe ai do të zgjerohet. Përkundrejt qeverisë aktuale, që refuzon të bëjë transparencën e zgjedhjeve, duket se vendosmëria e opozitës mbetet e palëkundur dhe se në arritjen e objektivave të vet nuk do të mungojë zgjerimi i përmasës së asaj që njihet si Mosbindje Civile. Përfshirja e pushtetit vendor në këtë betejë politike mbetet, sipas deputetit Shalsi, një mundësi që është në varësi të sjelljes së Kryeministrit, i cili preferon raportin e kontrollit politik ndaj atij ligjor. Mbi këtë premisë të një situate të ndërlikuar, Shqipëria i afrohet kështu procesit elektoral të vitit 2011, i cili do të duhet për më shumë që të zhvillohet me rregulla më të qarta loje. Në këtë drejtim, Shalsi ka nënvizuar se, edhe pse disponohet njohuri e mjaftueshme mbi skemën manipuluese të 2009-s, zbërthimi final i saj, jo vetëm është i domosdoshëm, por ai ka përcaktuar që tani se procesi i 2011 ka vënë në gatishmëri maksimale opozitën.

Z. Shalsi, aktualisht kërkesa e PS-së për transparencë është duke u diskutuar në negociatat me PD-në. Mendoni se do të ketë një rezultat konkret nga ky raund bisedimesh?

Dëshiroj shumë që negociatat e nisura sërish të mos dështonin, ndaj do të uroja që të konkretizoheshin me një marrëveshje që do të zhbllokonte situatën e tensionuar dhe aspak normale për një vend që aspiron t’i bashkohet familjes europiane. Por nuk mund të mohoj ekzistencën brenda meje të një skepticizmi jo të vogël dhe që është karakteristik për të gjithë ata që në këto vite kanë pasur përballë Sali Berishën. Nuk duhet të harrojmë që njeriu i ulur në fronin e Kryeministrit nuk ka ditur asnjëherë të plotësojë vendin vakant të liderit për të cilin ka nevojë Shqipëria. Në këto momente, Shqipëria ka nevojë si për një politikë që të ketë forcën që kundërshtitë dhe armiqësitë t’i kthejë në mundësi, ashtu dhe për politikanë që të kenë kurajën të sfidojnë retorikën e mllefit dhe urrejtjes. Nën regjimin berishian duken të pamundura. Partia Socialiste ka treguar vullnetin se është e gatshme për zgjidhjen e krizës, duke ofruar kompromise, pa cenuar principin e transparencës. Tashmë i takon mazhorancës të hedhë hapin e saj. A do të mundet vallë Berisha të shkëputet nga mentaliteti i liderit primitiv, që nuk është në gjendje të gjejë një kompromis me opozitën? Kjo mbetet për t’u parë.

Duke qenë se negociatat presupozojnë nevojën për kompromis, a është e gatshme PS të pranojë një hetim parlamentar të kufizuar te materialet zgjedhore, që gjithsesi ofrojnë një pasqyrë të asaj çfarë ndodhi më 28 qershor 2009?

Ne e kemi pranuar dhe artikuluar qëndrimin tonë, ndërkohë që tashmë kemi dhe qëndrimin e Parlamentit Europian për mandatin që duhet të ketë komisioni hetimor, i kryesuar nga opozita dhe me shumicën e saj, për investigimin e materialeve zgjedhore, ku natyrisht përfshihen edhe fletët e votimit. Duhet theksuar se, gjatë gjithë këtyre muajve të humbur, Sali Berisha ka qenë ai që në asnjë rast, nuk është ulur në një dialog konstruktiv dhe serioz politik, por ka përdorur të njëjtën gjuhë, që është ajo e kërcënimeve e sharjeve dhe shpifjeve. Nuk mund të jetë e pranueshme që, ndërsa negociojmë, Sali Berisha, nëpërmjet militantit besnik Ristani, të kërcënojë me djegien e fletëve të votimit. Një veprim i tillë do të ndizte situatën, duke sjellë konsekuenca të paparashikuara dhe të padëshiruara për askënd. Ne kemi ofruar një kompromis, duke u shprehur të gatshëm që për fletët e votimit të shprehej Komisioni i Venecias.

Për të mbetur te kjo çështje. Shpesh PS-ja ka artikuluar se reforma zgjedhore kushtëzohet me transparencën e zgjedhjeve të shkuara. Gjithsesi, nga të dhënat tuaja dhe nga një ide e përgjithshme e skemës që u vu në funksionim më 28 qershor, ku mendoni se mund të ndërhyhet për të korrigjuar sadopak? A është riformatimi i KQZ-së i nevojshëm në këtë kuadër?

Ky vend nuk mund të shërohet nga plagët e shumta që e kanë mbërthyer, pa shëruar në radhë të parë plagën e plagëve nga ku burojnë të gjitha të këqijat - zgjedhjet. E turpshme të mendosh që ende Shqipëria e shekullit të 21 nuk di të zgjedhë në mënyrë të drejtë e të ndershme përfaqësuesit e saj. Kur mendoj se sa djallëzore ka qenë qeveria me zgjedhjet e 28 qershorit, më duhet të pohoj se duhet të matemi fort mirë përpara se të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme. Dhe sigurisht, që një nga elementet e rëndësishëm është edhe riformatimi i KQZ-së, duke mos lejuar para së gjithash që ky institucion të kryesohet nga militantë që orientohen nga partitë dhe jo nga parimet e pranuara dhe shkruara. Nuk është çështja për të korrigjuar sadopak siç thoni ju, por është detyrimi që kemi për të ndrequr një sistem nga i cili varen të gjitha institucionet e tjera dhe funksionimi i tyre. Ne i njohim tashmë një pjesë të mirë të problematikave shqetësuese zgjedhore, që janë gjithsesi të domosdoshme për t’u investiguar akoma më në thellësi, nëpërmjet hetimit parlamentar. Kësaj radhe duhet bërë një hop cilësor dhe jo hapa gjysmakë siç ka ndodhur në të kaluarën.

Kërkesa për nisjen e punës për kodin e ri vjen në fakt edhe nga aleatët tuaj. Si janë marrëdhëniet me ta dhe drejt kujt do të tentojë zgjerimi i koalicionit tuaj?

Gjatë gjithë kësaj periudhe keni qenë dëshmitarë të një lëvizjeje të jashtëzakonshme që bashkonte në një aleancë të gjerë parti nga i gjithë spektri i politikës. Qëllimi i kësaj lëvizjeje, që kërkonte vendosmërisht hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, është i lidhur fort me dhënien fund, njëherë e mirë, të korrupsionit zgjedhor dhe krijimit të një mjedisi të shëndetshëm për organizimin e zgjedhjeve, jo thjesht më të mira nga paraardhëset, por të zgjedhjeve me standarde demokratike. I gjithë ai grupim forcash politike, që erdhi duke u rritur nga muaji në muaj, vazhdon të jetë i vendosur deri në arritjen e objektivit që i solli bashkë. Nuk mund të flasim ende për konfigurimin e një koalicioni zgjedhor, pa përfunduar në radhë të parë procesi i hetimit të thellë zgjedhor.

Z. Shalsi, çfarë ndodh nëse negociatat dështojnë? PS ka folur për përshkallëzim të situatës në muajin shtator. Nëse marrim si model reagimi atë lëvizje të shkuar të opozitës, çfarë mendoni se do të sillte riciklimi i protestave?

E thashë që në fillim që do të uroja arritjen e një marrëveshje. Kemi pezulluar përshkallëzimin e protestave, duke i dhënë mundësi mazhorancës të reflektojë për përgjegjësinë që ka për zgjidhjen e krizës. Ne tashmë e kemi hedhur hapin tonë. Nëse Berisha i ‘97 u detyrua të negociojë prej frikës, do të uroja që Berisha i 2010 të vrasë frikën, për të negociuar ndershmërisht me opozitën. Por nëse zgjidhja nuk vjen, atëherë rifillimi i protestave, për më tepër tani kur korrupsioni dhe skandalet e njëpasnjëshme qeveritare e kanë zhytur Shqipërinë dhe shqiptarët në një krizë të shumëfishtë, do të bënte që populli të merrte në dorë fatin e tij.

Brenda kësaj teme, një angazhim vihet re edhe nga shoqata e pushtetit vendor, që ka pasur disa reagime të vazhdueshme ndaj qeverisë “Berisha”? A mund të jenë pjesë e mosbindjes civile apo e përshkallëzimit edhe njësitë e pushtetit vendor që drejtohen nga socialistët?

Një nga plagët e hapura gjatë sundimit berishian është edhe statusi i pushtetit vendor. Duhet nënvizuar se demokracia vendore në Shqipëri ka bërë hapa mbrapa në këto vite. Duhet kuptuar se pa demokraci vendore nuk mund të ketë demokraci në një vend. Dhunimi i vazhdueshëm që pushteti i Sali Berishës i ka bërë autonomisë vendore ka sjellë dhe reagimin e të zgjedhurve vendorë që unë mendoj se, pavarësisht se nuk dalin hapur, i përkasin dhe të zgjedhurve demokratë. Gjatë këtyre viteve është atrofizuar zëri i pushtetit vendor, për shkak të uzurpimit politik që ky pushtet i bëri shoqatës së bashkive dhe komunave të Shqipërisë, që në vend të ishte mbrojtësja e të drejtave të të zgjedhurve vendorë u bë zëdhënësja e qeverisë. Politikat diskriminuese qeveritare, sidomos ndaj bashkive të të zgjedhurve socialiste, sollën si rezultat një tkurrje të fondeve, çka nënkupton më pak investime dhe shërbime për qytetarët. Në këto kushte është paralajmëruar se nëse kjo qeveri do të vazhdojë me kokëfortësi të shkelë parimet demokratike të sanksionuara në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, të firmosur nga Shqipëria që në vitin 1999, atëherë edhe reagimi do të jetë shumë më i ashpër nga çka qenë deri tani. Bota, dhe ajo demokratike, njeh shumë forma protestash për t’iu kundërvënë një regjimi shtypës. Do të donim t’i shmangnim, por nëse vazhdohet, do të jemi të detyruar t’i përdorim. Nëse kjo ndodh, pasojat për vendin do të jenë të rënda. Por ne nuk mund të pajtohemi me një sistem që i mundon dhe varfëron shqiptarët. Dhe ai që do të mbajë përgjegjësi direkte do të jetë vetëm një, Sali Berisha.

Nisur edhe nga kriza e fundit, cili është gjykimi juaj për institucionin e Presidentit dhe sa mendoni kanë ndikuar në uljen e profilit të tij ndryshimet kushtetuese? A ka vend, sipas jush, për të riparuar diçka në këtë drejtim?

Në radhë të parë më lejoni t’ju sjell në vëmendje ekuilibrat e prishura herë pas here mes Bosit të mazhorancës dhe Presidentit, çka dëshmon se pavarësisht se ky i fundit ka dalë nga kjo mazhorancë, Sali Berisha e ka të pamundur ta respektojë. Njëlloj siç bën me çdo pushtet apo institucion të pavarur. Mungesa e një kulture demokratike dhe ndjenja e Berishës për të dominuar këdo dhe gjithçka, ka çoroditur klimën institucionale në Shqipëri, nga ku mendoj se nuk bën përjashtim edhe institucioni i Presidentit.

Nuk mendoj se janë ndryshimet kushtetuese ato që ndikojnë në profilin e Presidentit. Në Shqipëri ka mbizotëruar një kriter për të përcaktuar suksesin e një titullari, institucioni apo të një politikani dhe ai ka qenë kohëqëndrimi, ose thënë më mirë mbijetesa. Sa më gjatë të qëndrosh, aq më i suksesshëm konsiderohesh. Nuk ka pasur rëndësi se sa ndryshime pozitive ofron. Kjo ka ndikuar në sjelljen e shumë drejtuesve. Nuk do doja që Presidenti aktual të ishte infektuar me këtë virus. Do të doja të shihja një President simbol të bashkimit të shqiptarëve, një President me iniciativë dhe kurajoz, një President aktiv dhe të aftë për t’iu imponuar politikës me propozime dhe zgjidhje që kapërcejnë interesat e ngushta të partive. Unë mendoj se një lider që ka karakter të fortë, personalitet të qëndrueshëm dhe karizëm të spikatur mund ta mbajë lart profilin e tij, pavarësisht nga rrethanat. Nuk duhet të jenë rrethanat që i bëjnë liderët, por liderët që të përcaktojnë rrethanat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›