E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona kerkon bashkimin bankar

Eurozona duhet të ketë një bashkim bankar, mbikqyrjen e përbashkët financiare dhe garancinë e depozitave  bankare si elementë të një bashkimi më të thellë ekonomik. Do të jetë kjo tema e diskutimit mes udhëheqësve të BE në qershor, e lancuar nga presidenti i KE, Jose manuel Barroso. Qeveria e BE u ka dhënë rekomandimet enevojshme të gjitha vendeve anëtare, për përballjen e krizës më të keqe në historinë e tij. 
“Ne synojmë të shohim hapa të mëtejshme, kemi nevojë për të shkuar drejt një bashkimi më të plotë ekonomik, për të kompletuar bashkimin tonë monetar. Komisioni do të synojë një qasje ambicioze. Blloqet e ndërtimit mund të përfshijnë ndër të  tjera një bashkim monetar me mbikqyrje të integruar financiare  dhe një sistem garant të depozitave”, vlerësoi Barroso.
Këto dy ide të reja bashkohen edhe me temën tjetër më të diskutuar eurobondet, një mënyrë kjo për të ndihmuar në uljen e borxhit europian. Por Barroso ka theksuar se disa prej këtyre vendimeve do të kërkojë ndryshime të traktatit europian.
Sipas presidentit të KE, presionet për një garanci kolektive të depozitave bankare kanë ardhë edhe nga partnerët europianë të G8, si SHBA, Japonia dhe Kina, për një integrim më të fortë ekonomik dhe financiar, mbi të gjitha nëse BE kërkon të arrijë sa më shpejt objektivat për daljen nga kriza. Barroso ka theksuar se tre forcat ekonomike të shekullit të 21 do të jenë Kina, SHBA dhe Europa, duke shtuar se kjo e fundit duhet të nxitojë me integrimin, përndryshe do të përballet me rreziqe të pashmangshme. 
 Në detaj të këtyre rekomandimeve për secilin vend të BE, komisioneri për çështjet ekonomike dhe monetare Olli Rehn ka deklaruar se Spanja do të ketë edhe një vit më shumë kohë për të arritur objektivat e deficitit të lart buxhetor.
"Ne jemi të gatshëm të marrin në konsideratë shtyrjen e afatit për reduktim të deficitit nga 2013 në 2014 me kusht që Spanja të paraqesë një plan bindës të buxhetit për vitin 2013 dhe 2014, dhe të kontrollojë në mënyrë efektive shpenzimet e tepruara të rajoneve autonome dhe nën-subjekteve të tjera”, sqaroi Rehn.
Gjithashu KE ka thënë se Franca duhet të ndërmarrë një veprim të shpejt mbi nivelin e deficitit ose do të humbasë qëllimin e saj për vitin e ardhshëm. Deficiti francez duhet të bjerë në 4,2% të PBB në 2013 nga 4,4% që është vlerësuar këtë vit. 
Mbi situatën në Itali KE ka këshilluar se duhet të vijojë me strategjinë e bilancit ashtu sic është parashikuar dhe të sigurojë se deficiti i lartë buxhetor do të korrigjohet brenda 2012-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›