Fullani: Vendi po përjeton pasiguri
Biznesi nuk po investon, ndërsa konsumi bie ndjeshëm
Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka mbetur në dorë një mision i vështirë. Atë që nuk bën qeveria me transparencën, po përpiqet ta artikulojë si duhet kryebankieri dhe tu shpjegojë shqiptarëve se situata ekonomike nuk duket dhe aq rozë nga sa pretendon Kryeministria.
Kur guvernatori thotë se biznesi nuk po investon dhe se konsumi ka rënë, si pasojë e një të ardhmeje të pasigurt, atëherë shtrohen shumë pikëpyetje mbi fatet e vendit, që vetë BSH e ka të vështirë të ndajë rrugën e duhur drejt daljes nga kriza. Për momentin, banka po paraqet faktet të cilat dëshmojnë për një ekonomi që zhvillohet nën potencial dhe se për të ardhmen është pak të thuash me siguri se çfarë do të ndodhë.
Banka thotë se, niveli i ulët i inflacionit (1.6%) kushtëzohet nga shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve në ekonomi, i cili reflektohet në presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit.
Konsumi privat vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit 2012, deklaroi dje Fullani. Ecuria e importit të mallrave për konsum dhe rritja e ulët vjetore e të ardhurave të grumbulluara nga TVSh-ja, sugjerojnë një kërkesë të dobët konsumatore në këtë tremujor. Ky vlerësim i BSH-së, mbështetet edhe nga të dhënat cilësore të filtruara nga vrojtimet e konsumatorëve, të biznesit dhe të sektorit bankar.
Dinamika e treguesve sasiorë dhe cilësorë dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve. Të përballur me një kërkesë të ulët dhe me kapacitete të lira prodhuese, si dhe në prani të pasigurisë për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, bizneset kanë shtyrë në kohë vendimet e tyre për investime të reja. Gjithashtu, kontributi i investimeve publike në rritjen e kërkesës agregate, vlerësohet të ketë qenë negativ gjatë tremujorit të parë, u shpreh guvernatori.
Të dhënat e disponueshme nga banka mbështesin parashikimin se ekonomia do të rritet nën potencial, për të paktën tre muajt e ardhshëm. Dy përbërësit kryesorë të kësaj kërkese, konsumi dhe investimet private, mbeten të ngadaltë. Shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve, i shoqëruar me rritje të ngadaltë të pagave dhe të kostove të punës për njësi, pritet të ushtrojë presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme, u shpreh me shqetësim kreu i BSH-së.
Dobët po ecën edhe tregtia me jashtë, ku kontributi i kërkesës së huaj është ulur ndjeshëm dhe kjo duket qartë te rënia e eksporteve. Sakaq, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 9% në muajin mars, nivel i ulët ky, ndikuar nga një kërkesë e dobët e biznesit për financim, tjetër shenjë kjo e përkeqësimit të klimës në vend. Nisur nga këta faktorë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%.
A.K.
Konstatim
Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, ku togfjalëshi më i përdorur ishte, rritja ekonomike, nën potencial, kësaj here, raporti i djeshëm, lexuar nga guvernatori u kufizua te konkluzioni se aktiviteti ekonomik është i ngadaltë, pa përmendur fjalën rritje