Administrata, me status nëpunësi të ri
Berisha mbështet draftin, por duhen 84 vota. Nenet e projektit dhe pozitat e KSHC
ARD KOLA
Projekti që forcon kompetencat e Komisionit të Shërbimit Civil dhe zgjeron kategorinë e punonjësve me statusin e nëpunësit civil ndodhet në fund të përgatitjeve dhe shumë shpejt do të kalojë në qeveri. Për Kryeministrin e vendit, problem është miratimi në Kuvend, pasi draftligji kërkon 84 vota, pra nevojitet edhe ndihma e opozitës. “Të bashkëpunojmë me opozitën që këto ligje shumë të rëndësishme për funksionimin më të lirë të shërbimit civil, të administratës publike në tërësi dhe të shërbimit civil në veçanti, konsolidimin dhe përsosjen e punës së tyre të votohen sa më shpejt në Parlament dhe të hyjnë në fuqi sa më shpejt”, tha Berisha.
Pika thelbësore e projektit është mbrojtja e nëpunësve të administratës publike, trajtimi i tyre sipas ligjit, duke i dhënë status civil të posaçëm, gjë që i jep siguri për pozicionin e punës. Aktualisht, me status nëpunësi civil janë afro 6 mijë punonjës, pra që janë të mbrojtur nga rreziku i largimit nga puna për qëllime politike, nepotike apo interesa të veçantë, dhe ky numër, me draftin e hartuar nga ekspertët e SIGMA-s dhe DAP-it, propozon zgjerim të kategorive, duke e çuar numrin në afro 40 mijë, nga 90 mijë që është totali. Ekspertët e fushës që kanë punuar me reformën kanë përfshirë me status edhe punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe disa kategori të tjera, numri i të cilave është tepër i madh. Për këtë qëllim, parashikohet forcimi i rolit të Komisionit të Shërbimit Civil (KSHC), i institucionit, i cili trajton ankesat e punonjësve me status dhe mbikëqyr administratat qendrore për lëvizjet e kryera te punonjësit.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i pranishëm në konferencën e zhvilluar dje, kërkoi një bashkëpunim ndërpartiak për miratimin e projektligjit për shërbimin civil. Ai foli edhe për procesin e rekrutimeve në administratë. “Rekrutimet në Administratën Publike të jenë sa më transparente dhe të bazuara në meritë. Duhet përmirësimi i sistemit të IT-së dhe i takon qeverisë të përdorë IT për të përmirësuar sigurinë. IT është një proces shumë i rëndësishëm për reformat dhe diskutohet siguria dhe survejimi i gjithë aktorëve pjesëmarrës në administratë”, tha Sequi.
Ambasadori, në disa letra dërguar Kuvendi është shprehur i shqetësuar mbi fatet e KSHC, të cilat në ligjin për Gjykatën Administrative shkriheshin si funksion. Për ekspertët e huaj, pozicioni i KSHC-së në procesin e reformës së administratës publike është tepër i rëndësishëm, pasi ka kompetenca dhe përvojë të gjatë në trajtimin e ankesave të punonjësve të larguar padrejtësisht nga puna. Neni 3 në draft është pjesa që zgjeron fushën e përfshirjes me status nëpunësi civil për një pjesë të administratës, kurse nenet 9 dhe 11 konsiderohen kryesoret, pasi përcaktojnë qartë funksionet dhe kompetencat e KSHC-së. Nenet propozojnë disa ndryshime, ku ndër të tjera, reduktojnë kohën e mandatit të anëtarit, nga 7 vjet, në 5 vjet. Disa nga kompetencat e komisionit, të vendosura nga ekspertët e BE-së janë: mbikëqyrja e zbatimit të ligjit në administrimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë, si dhe zgjidh ankimin ndaj çdo vendimi individual apo mosveprimi lidhur me marrëdhëniet e shërbimit civil sipas këtij ligji. Gjithashtu, në ushtrimin e kompetencave, KSHC ka të drejtë të kryejë hetim të plotë administrativ sipas Kodit të Procedurës Administrative, të kërkojë nga institucionet, çdo informacion të nevojshëm, dhe të inspektojë dosjet e çdo dokument lidhur me administrimin e shërbimit civil. I pranishëm në aktivitet ishte dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili është përgjegjës për DAP-in.
Sequi
Rekrutimet
Rekrutimet në Administratën Publike të jenë sa më transparente dhe të bazuara në meritë
Kryeministri
Presioni politik ndaj punonjësve
Administrata është përballur me vështirësi serioze, është përballur me trysni politike të pamerituara, është përballur me pasojat e vendosjes së menjëhershme të statusit të nëpunësit civil, është përballur me pamundësinë, për arsye po politike, të ndryshimeve të domosdoshme ligjore, u shpreh Kryeministri.
