Eurozona, plan 30 miliardë euro për shpëtimin e Greqisë
30 miliardë euro do të vihen në dispozicion të Greqisë nga Eurozona gjatë këtij viti. Ky është vendimi i marrë gjatë zhvillimit të një telekonference të zhvilluar mes ministrave të Financave të 16 vendeve të Eurozonës në Bruksel. Kësaj kuote do t’i shtohet edhe kontributi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Eurogrupit, Jean Claude Juncker, i cili saktësoi se "tashmë mekanizmi është gati për të qenë plotësisht operativ”. Megjithatë, vendimi për aktivizimin tij nuk është marrë ende, sepse Greqia nuk e ka kërkuar diçka të tillë. “Të gjitha vendet e Eurogrupit do të kontribuojnë për ndihmën për Greqinë në bazë të kapitaleve të tyre në bankën Qendrore Europiane”, deklaroi Jean Claude Juncker. Kështu, 16 vendet e Eurogrupit dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë gati të vënë në dispozicion të Greqisë hua për shumë të përgjithshme rreth 45 miliardë euro. Ky është vendimi i arritur në përfundim të telekonferencës së zhvilluar mes ministrave të Financave të Eurozonës, të cilët kanë vendosur se nëse do të jetë e nevojshme, do të vendosin mbi tavolinë 30 miliardë euro për të përballuar në vitin e parë nevojat financiare të Greqisë, gjithmonë nëse Athina do e kërkojë një gjë të tillë. Kësaj shume, shpjegoi komisionari i BE-së për çështjet ekonomike dhe monetare, Olli Rehn, do t’i shtohet edhe kuota e FMN-së, me një vlerë pak a shumë sa një e treta e kësaj shume. Mendohet që kuota e FMN-së të kapë shifrat e 15 miliardë dollarëve, duke e çuar në 45 miliardë shumën e përgjithshme të ndihmës për Greqinë. I menjëhershëm ka qenë vendimi i ministrit të Financave greke, Giorgio Papaconstantinou, që e ka cilësuar si “një vendim të rëndësishëm” atë që vendosi Eurogrupi, duke theksuar se Greqia nuk ka kërkuar akoma aktivizimin e këtij mekanizmi. Sipas ministrit, vendimi ishte një njohje dhe përpjekje e Greqisë për të stabilizuar situatën financiare në vend.
#