Aleatët e PS: Nuk ka zgjedhje me Berishën

Kriza e tanishme politike kushtëzon procesin e ardhshëm elektoral. Në një kohë kur situata duket pa zgjidhje dhe në një gjendje qëndrueshmërie të brishtë, përfaqësuesit e opozitës, përditë e më shumë po bëjnë të qartë idenë e tyre për mënyrën e imponimit të zgjidhjes. Zgjedhjet e parakohshme si alternativë dhe transparenca e 28 qershorit si kusht i panegociueshëm janë dy mjete të kombinuara presioni, që sipas gjasave, do të detyrojnë shumicën që herët apo vonë të cedojë. Në të kundërt, aleatët e PS nuk e përjashtojnë bojkotin e zgjedhjeve lokale si një hap të fundit për gjetjen e një konsensusi politik, që në këtë rast do të merrte formën edhe të një përkufizimi të ri për krizat në Shqipëri. “Hyrja në zgjedhje me Sali Berishën në qeveri është një aventurë. Megjithatë, përveç zgjedhjeve të parakohshme, ka disa alternativa dhe opsione që mund të diskutohen”, tha dje për “Shqip”, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka. Ai ka shtuar se përvoja e 28 qershorit dhe faktet e evidentuara së fundmi lidhur me procesin e fundit elektoral, e bëjnë të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje politike, përpara se vendi t’i drejtohet zgjedhjeve të reja, të parakohshme ose jo qofshin ato. Ky qëndrim politik që mund të perceptohet edhe në veprimet e fundit të Partisë Socialiste, shfaqet si një bindje e opozitës që përballë Sali Berishës ka zgjeruar dimensionet e veta tradicionale. I njohur për pozicionimin e vet të fortë kundër Kryeministrit aktual, socialdemokrati Skënder Gjinushi ka qenë edhe më kategorik, duke nënvizuar se manipulimet e 28 qershorit të faktuara në Ruzhdije e aktualizojnë edhe moralisht qëndrimin e tanishëm të opozitës për zgjedhje të parakohshme.
Për më shumë ato shërbejnë edhe si kusht për zhvillimin e procesit të ardhshëm elektoral, i cili nuk mund të jetë konform standardeve nëse administrimi politik i vendit i besohet një qeverie që mban faturën e rëndë të krizës. “Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje që të certifikohen si zgjedhje me standarde. Dhe faktet e Ruzhdies flasin qartë se me këtë qeveri nuk mund të mendohet se do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj është logjike kërkesa jonë për një zgjidhje politike, përpara se vendi të drejtohet në votime sërish”, deklaroi Gjinushi. Transparencë ose zgjedhje të parakohshme, dy kushtet e opozitës qëndrojnë përballë qeverisë, si mjet presioni por edhe si një pozicion negocimi politik, që po vështron nga Kryeministri si njeriu kyç i krizës. Sesa është i mundur realizimi i zgjedhjeve të parakohshme, kjo vijon të mbetet një hipotezë si për opinionin por pjesërisht edhe për opozitën.
Kjo e fundit ia ka besuar zgjidhjen e krizës, apo më mirë riciklimin e vetes si faktor përcaktues i skenës politike vijimit të protestave që mbeten një akt veprimi brenda kuadrit kushtetues. “Unë mendoj se zgjidhje do të ketë, sepse në një vend normal nuk mund të vijohet me shpërfilljen e situatës. Jam optimist se së shpejti do të ketë një dalje nga situata, qoftë kjo edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Po kështu, dje nga Korça, ai ka bërë një deklarim me interes lidhur me qëndrimin publik të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në kuadër të krizës që vijon prej muajsh. “Qëndrimi i Presidentit Bamir Topi ndaj krizës politike në vend dhe tërheqja e tij nga ndërmjetësimi për t’ia lënë zgjidhjen në duar partive politike ka qenë i ndikuar nga ndërkombëtarët dhe ambasada amerikane”, është shprehur Milo. Një tërheqje kjo që ia ka lënë përgjegjësinë e zgjidhjes qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Kryeministrit Sali Berisha.
#