E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozona ul deficitin por rrit borxhin publik

Të dhënat e Zyrës Europiane të Statistikave treguan se eurozona reduktoi në masë shumë të madhe deficitin fiskal në fund të vitit të kaluar si rezultat i programeve qeveritare të kursimeve në shpenzime dhe rritjes së taksave për të rifituar besimin e tregjeve financiare. Por të dhënat e EUROSTAT treguan se pavarësisht kësaj, borxhi publik regjistroi rritje. Eurostat raporton se deficiti buxhetor për 17 vendet e eurozonës ra në 4.1% të prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2011 kundrejt 6.2% në fund të 2010 që ishte dhe viti i parë i krizës së borxheve sovrane. Por pavarësisht kësaj borxhi publik në eurozonë u rrit në 87.3% të prodhimit të brendshëm bruto kundrejt 85.4% që u regjistrua në fund të vitit 2010. Greqia ka regjistruar edhe nivelin më të lartë të borxhit publik në 170.6% të prodhimit të brendshëm bruto dhe shifra është rritur pavarësisht se ka ulur deficitin në 9.4% për vitin 2011 kundrejt 10.7% në 2010 dhe 15.6% në vitin 2009. Po kështu edhe Spanja gjatë vitit të kaluar ka shënuar të njëjtin raport të deficitit me PBB me 9,4% sikurse edhe Greqia. Gjermania gjatë vitit të kaluar rrëzoi deficitin buxhetor në 0.8% në 2011 kundrejt 4.1% në 2010 dhe borxhi publik u ul në 80.5% të ekonomisë nga 82.5% në krye të vitit. Irlanda ka regjistruar uljen më të madhe të deficitit në 13.4% nga 30.9% në krye të vitit, por borxhi publik u rrit në 106.4% të totalit të ekonomisë kundrejt 92.2% në fund të vitit 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›