E Diel, 1 Nëntor 2026

Evazioni italian arrin ne 125 mld euro

Evazioni fiskal në Itali kap vlerën e 125 miliardë eurove. Kjo shumë është një dëmtim për qeverinë katër herë më e lartë se manovra e fundit antikrizë. Sipas statistikave të Agjencisë së Hyrjeve, evazioni fiskal është një ves shumë i përhapur në Itali dhe është e vështirë të përcaktosh një kategori që mund të mos ta njohë këtë fenomen. Sipas statistikave zyrtare, evazioni vjen nga të gjitha pjesët e shoqërisë, nga shtresat më të ulëta e deri tek nivelet më të larta, nga mjekët tek hidraulikët apo qendrat estetike, nga sipërmarrësit apo edhe tek ata që japin një banesë me qera. Duke analizuar sistemin fiskal italian, teknicienët e ministrisë së Ekonomisë kanë vlerësuar se ekonomia informale ka një vlerë prej 275 miliardë euro. Më pak të predispozuar për evazion janë kategoria e pensionistëve dhe punonjësit e pavarur, kryesisht në sektorin publik, ndërkohë që situata është tepër konfliktuale mes sistemit fiskal dhe kategorive të tjera, si punonjësit autonomë, biznesmenët dhe ata që posedojnë të ardhura vetëm përmes ndërtesave. Rezultatet e ministrisë së Ekonomisë tregojnë se rreth 15% e ndërtimeve që jepen me qera është totalisht jashtë kontrollit të financave. Për autonomët evazioni shkon në 32,8%, kryesisht në sektorin bujqësor për shkak të punësimit në të zezë. Ndërkohë që në sektorin e shërbimeve dhe industri niveli i evazionit shkon respektivisht në 20,9% dhe 12,4%. Rasti më ekstrem është sektori i turizmit dhe hotelerisë, me një normë të evazionit mbi kuotën e 50% dhe me një vlerë totale prej 36 miliardë euro jo të deklaruara.
Evazioni fiskal është një sëmundje e pashërueshme për Italinë por kjo nuk do të thotë se vendet e tjera janë më pak. Në SHBA, të njohur për ashpërsinë e tyre ndaj atyre që kryejnë shkelje tatimore, në 2012 është vendosur amnistia e tretë brenda katër viteve për ata që riatdhesojnë kapitalin e eksportuar ilegalisht jashtë vendit. Fatura për tu paguar është e lartë në 27,5% të vlerës totale. Në vitin 2009, kthimi i kapitalit të vjedhur bëhej duke paguar 20% të vlerës, ndërsa në vitin e kaluar ishte 25%. Nga dy operacionet e fundit të amnistisë, financat amerikane ka mbledhur një shumë me 3 dhe 1,2 miliardë dollarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›