Vlerësimet e Standard & Poor, kritika nga zyrtarët e BE

Zyrtari më i lartë i ekonomisë së Bashkimit Evropian ka kritikuar vendimin e Standard & Poor për të ulur vlerësimin për nëntë vendet e eurozonës.
Komisioneri për çështje të ekonomisë, Olli Ren tha se një veprim i tillë është kundërshtues, përderisa eurozona po ndërmer veprime vendimtare për t`i dhënë fund krizës së borxheve.
Ndërsa Mishellë Barnie, komisioneri evropian për tregjet e brendshme, tha se është i befasuar për momentin e zgjedhur nga agjencia Standard & Poor dhe nga vlerësimi i saj, që nuk merr parasysh arritjet e fundit.
Agjencia e vlerësimeve, Standard & Poor ka ulur dje vlerësimet afatgjata për Qipron, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën me nga dy pikë, ndërsa Austrisë, Francës, Maltës, Sllovakisë dhe Sllovenisë ua ka ulur vlerësimin me nga një pikë.
Agjencia ka konfirmuar vlerësime afatgjata për Belgjikën, Estoninë, Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun dhe Holandën.