Evidentim dhe pajisje me tituj pronësie në Llakatund

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës po vijon punën në terren në Llakatund, të Vlorës në kuadër të procesit të evidentimit, matjes dhe dokumentimit të objekteve informale dhe pasurive të paluajtshme.
Specialistët e Drejtorisë Vendore Vlorë janë angazhuar çdo ditë për kryerjen e matjeve në terren për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje ose në shkelje të saj, si dhe për shtëpitë e vjetra të ndërtuara para datës 10 gusht 1991, së bashku me trojet funksionale dhe oborret në përdorim.
Paralelisht me punën në terren, në zyrë vijon hartimi i dokumentacionit tekniko-ligjor për çdo pasuri. Më pas, të dhënat do të afishohen për një periudhë 30-ditore, për të mundësuar çdo kontestim të mundshëm nga qytetarët.
Synimi i këtij procesi është pajisja me tituj pronësie e të gjitha objekteve që përmbushin kriteret ligjore, duke përmbyllur një proces të gjatë për shumë banorë të zonës.
Përfaqësues të Kadastrës bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, përfshirë edhe emigrantët, që të paraqiten dhe të përfundojnë procedurat përkatëse, duke theksuar se procesi tashmë ka hyrë në një fazë të pakthyeshme dhe përfshin si tokat në menaxhim, ashtu edhe legalizimet për objektet e ndërtuara para dhe pas vitit 1991.
e.xh/j.p/