E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evra: Hakmarrje për vitin 2009

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-05-2011 10:58

Patris Evra këmbëngul se Mançester Junajtidi është në mision hakmarrjeje kundër Barcelonës, për të larguar makthin në Champions Laegue. Lojtari francez ishte pjesë e skuadrës së Junajtidit që u mund nga spanjollët në finalen e vitit 2009. Atë natë në Romë, Junajtid ishte larg të qënurit skuadra më e mirë dhe nga kjo përfitoi Barcelona, që siguroi një triumf 2-0 pas golave të Samuel Eto’o dhe Lionel Mesit. Por Evra deklaron se skuadra e tij nuk do të lejojë që të përsëritet më ajo ndeshje, kur rivalët e tyre të zbresin në fushën e “Ëembley”-t të shtunën në mbrëmje. Mbrojtësi i majtë, që do të ketë për detyrë të markojë të bezdisshmin Daniel Alvesh, deklaron qetësisht: “E kam mendjen vetëm te ndeshja e së shtunës dhe nuk dua të shoh pas e të kujtoj me keqardhje atë zhgënjim. Duhet të bëjmë çmos që t’u tregojmë të gjithë fansave dhe vetes sonë se ne jemi Mançester Junajtid. E respektoj shumë Barcelonën, por nuk dua që të përsëritet më ajo ndeshje e Romës kur ata na mundën 2-0. Kur morëm pushimet atë vit, rrija e mendoja arsyen se përse ne nuk luajtëm si Mançester Junajtid. Përse ne nuk bëmë më të mirën? Në fillim të ndeshjes ne dominuam gati 10 minuta, por kur pësuam golin e parë, mori fund gjithçka. Viti 2009 ishte një zhgënjim vërtet i madh dhe unë nuk dua që ta përjetoj sërish atë eksperiencë,” deklaroi mbrojtësi francez që luan që prej vitit 2006 me Mançester Junajtidin, kur u transferua nga skuadra e Monakos. Dhe përsa u përket francezëve, është një tjetër transalpin në listë e Sër Aleks Ferguson. Bëhet fjalë për Samir Nasri dhe Patris Evra nuk e humbet rastin për ta joshur patriotin e tij. Sipas mbrojtësit, Nasri duhet të vijë te Mançesteri nëse dëshiron të fitojë trofe. Nasri është përfolur ditët e fundit si objektiv primar i “Djajve të Kuq”, që kanë në listën e blerjeve emergjente edhe portierin e Atletiko Madridit, David De Gea. Evra mendon se Nasri do ta ndjente veten shumë më mirë me fanellën e Mançesterit sesa me atë të Arsenalit dhe këtë mendim e ndan me prestigjiozen franceze “L’Equipe”. “Nëse vjen, ai duhet ta dijë se nuk ka vend për gabime. Çdo vit këtu luhet për të fituar. Është kultura e Mançesterit. Çdo sezon objektivi është titulli. Kam pesë vjet që jam te Junajtidi dhe as nuk e mbaj mend sesa trofe kam fituar. 13? 15? Kështu, “Petit Prince”, nëse dëshiron të bëhesh Mbret, tani e di se ku duhet të vish”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›