E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fergi drejt rekordit: Por kujdes, Barça është edhe më e fortë

Skocezi beson se katalanasit janë më të pjekur se dy vjet më parë, teksa është fare pranë rekordit të Bob Paislejt që e ka fituar Champions 3 herë me Liverpulin

Në finalen e Ligës së Kampionëve në Romë më 2009, Barcelona me golat e Samuel Eto’os dhe Lionel Mesit mundi Mançester Junjtidin me rezultat 2-0. Megjithatë, ekipi katalan është më i mirë sot sesa 2 vjet më parë. Dhe këtë mendim e ka as më shumë e as më pak, por vëtë Sër Aleks. “Sot ekipi i Guardiolës është më i pjekur. Në këtë i ka ndihmuar pikërisht fitimi i Ligës së Kampionëve”, ka thënë Ferguson për mediat britanike, duke shtuar: “Na kushtoi atëherë gabimi në minutën 10-të, kur pësuam golin e parë. Nuk arritëm të rigrupoheshim, pasi humbëm topin. Kjo na kushtoi shumë. Pas kësaj Barcelona luajti me Mesin në mesfushë, dhe kjo na vështirësoi lojën. Këtë herë duhet të kujdesemi që të mos na përsëritet një mungesë e tillë e përqendrimit. Fergusoni, në rast të fitores në finale, do të barazohej me ish-trajnerin e Liverpulit, Bob Paislej, për rekordin e fitimit të Ligës/Kupës së Kampionëve (3 herë).

Ferguson është i vetëdijshëm për rrezikun që mund t’ia shkaktojë ekipit të tij ylli argjentinas i Barçës, Lionel Mesi, por ai mendon se Barcelona nuk është vetëm Mesi. “Ai është lojtar i madh, por edhe më të mirët kanë momentet e tyre “jo”, kështu që duhet të mundohemi ta ndalim. Barcelona ka disa lojtarë të mirë, por as ne nuk jemi prapa. Ky është motivi për të cilin finalja e së shtunës do të jetë njëra prej ndeshjeve më të mira të sezonit”, shtoi ai. Ferguson thotë se ka në mendje 4 formacione, të cilat mund t’i hedhë në fushë dhe që Barcelona nuk do të arrijë dot t’i mund. Ai e pranon se nuk ka vendosur ende se kush do të luajë në finale për ekipin e tij. Ai beson se ekipi nga “Old Traford” do ta fitojë këtë kompeticion pas Premierligës. “Ata lojtarë që kanë qenë të rëndësishëm gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampioneve, do të luajnë në finale. Unë besoj se do ta fitojmë kupën”, shtoi trajneri legjendar skocez. Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Ëembley” të Londrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›