Evropa kërcënohet nga recesioni i dytë

Ekonomia europiane po kërcënohet nga vala e dytë e recesionit, për shkak se qeveritë i zvogëluan shpenzimet për t'i zvogëluar deficitet buxhetore. Një deklaratë e tillë vjen nga ekonomisti i famshëm dhe fitues i çmimit Nobël për ekonomi, Xhozef Stiglic, pas krizës greke e cila varrosi besimin e investitorëve në vendet me valutë unike evropiane euro. Qeveritë e vendeve të Eurozonës i forcojnë masat për ta zvogëluar deficitin sipas pragut të përcaktuar të Bashkimit Evropian prej 3 për qindësh të Bruto Prodhimit Vendor (BPV). "Meqë shumë prej vendeve europiane përqendrohen në pragun e përcaktuar të Bashkimit Europian prej 3 për qind të bruto prodhimit vendor BPV, Evropa i eksponohet rrezikut që të hyjë në valën e dytë të recesionit", tha Stiglic gjatë një deklarate për median radiofonike.