Evropa në alarm nga përgjimet e SHBA-ve, BE: Të merren masa urgjente
Strazburg- Shpërthimi i skandalit të përgjimeve duket se i ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Sapo pritej të zyrtarizohej marrëveshja tregtare mes dy kontinenteve, Parlamenti Evropian zbuloi se amerikanët falë teknologjisë futeshin në serverat e disa kompanive gjigande, siç janë Apple, Google, Facebook, Yahoo apo Microsoft, dhe kryenin përgjime për persona të caktuar. Kjo është cilësuar nga BE-ja si një shkelje e hapur e privatësisë dhe për këtë arsye sot u mbajt një seancë e jashtëzakonshm në Strazburg dhe u kërkua menjëherë të nxirrje një raport mbi abuzimet e kryera deri më tani dhe marrjen e masave.
Unë nuk e di nëse e keni dëgjuar deklaratën e Barak Obamës, kur ai ishte duke iu drejtuar audiencës amerikane, që ishte e shqetësuar. Ai tha:” Mos u shqetësoni! Ne nuk jemi duke përgjuar qytetarët amerikanë. Ne jemi duke përgjuar vetëm të huajt”. Të huajt! Pra, këta jemi ne. Këta janë qytetarë europianë! Pra, çfarë lloj marrëdhënieje e veçantë është kjo?- tha eurodeputetja holandeze, Sophia Int’veld.
Ndërsa eurodeputeti gjerman, Jan Philipp ALBRECHT, u shpreh se përgjimi në masë është diçka që cënon demokracinë dhe sundimin e ligjit, ndërsa kërkoi rregulla më të forta për të mbrojtur të dhënat e gjithësecilit në rrjet.
Kolegu i tij po gjerman, Manfred Weber tha se është e papranueshme që SHBA-të të kenë të tjera rregulla sa i përket përgjimeve.
Unë do të doja ta bëja të qartë se në emër të PPE-së është krejtësisht e papranueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rregulla të ndryshme për qasjen në të dhënat personale të zbatueshme për qytetarët amerikanë në njërën anë, dhe në tjetrën ato për qytetarët e vendeve të tjera. Miqtë tanë amerikanë duhet ta dinë këtë”,- tha ai.